E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi i Kosovës në seancë të jashtëzakonshme, mazhoranca dhe opozita përplasen për zgjedhjen e Presidentit nga populli

Kuvendi i Kosovës ka nisur një seancë të jashtëzakonshme, e cila pritet të shënojë një nga zhvillimet më të rëndësishme të jetës parlamentare: votimin e ndryshimeve kushtetuese që mundësojnë zgjedhjen e Presidentit të Republikës drejtpërdrejt nga qytetarët.

Kjo seancë vjen pas dritës së gjelbër të dhënë nga Komisioni për Legjislacion, i cili me 6 vota pro dhe 2 kundër miratoi procedimin e amendamenteve të propozuara nga Presidentja Vjosa Osmani. Megjithatë, salla e seancave plenare është përfshirë menjëherë nga debati dhe polarizimi mes mazhorancës që kërkon miratimin e shpejtë dhe opozitës që akuzon për shkelje procedurale dhe mungesë serioziteti.

LVV: Fund pazareve politike, t’i japim legjitimitet Presidentit

Nga ana e mazhorancës, nisma është mbrojtur me argumentin e demokratizimit të institucionit të kreut të shtetit. Kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavci, theksoi se sistemi aktual e ka mbajtur peng këtë post nga kompromiset mes partive politike.

Sipas Nagavcit, kalimi i të drejtës së votës te qytetarët i jep Presidentit një mandat të qartë dhe rrit ndjeshëm legjitimitetin e tij demokratik.

“Një president i zgjedhur nga qytetarët duhet të fitojë mbështetjen e shumicës së qytetarëve dhe të grupeve të ndryshme të shoqërisë, jo vetëm të deputetëve, gjë që mund ta bëjë figurën presidenciale më përbashkuese për vendin,” deklaroi Nagavci, duke konfirmuar mbështetjen e plotë të grupit të saj parlamentar për këto amendamente.

PDK: Pro parimit, por kundër “ngutisë” dhe shkeljeve procedurale

Në krahun tjetër, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka shprehur rezerva të forta, jo mbi thelbin e nismës, por mbi formën dhe kohën e zgjedhur për ta proceduar atë.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, qartësoi se partia e tij ka qenë dhe mbetet në parim pro idesë që Presidenti të zgjidhet nga populli. Megjithatë, ai e cilësoi trajtimin e kësaj çështjeje në orët e fundit të mandatit të Presidentes si thellësisht joserioz, duke kritikuar faktin që po përdoren amendamente të vjetruara të para 15 viteve.

Hamza ngriti pikëpyetje serioze mbi procedurën e ndjekur, duke theksuar se seanca e jashtëzakonshme u thirr në orën 19:45, ndërsa materialet voluminoze mbërritën te deputetët vetëm në orën 20:30.

Sipas tij, procesi po anashkalon rregulloren e Kuvendit dhe udhëzimet e Gjykatës Kushtetuese mbi amendamentimin e aktit më të lartë juridik të vendit.

Sipas tij, ndryshimi i Kushtetutës kërkon një diskutim të gjerë shoqëror dhe një pakt të qëndrueshëm politik, dhe jo seanca të thirrura me urgjencë.

“Si munden deputetët e Kuvendit për një temë kaq të rëndësishme për aktin më të lartë juridik të vendit të flasin pa i pranuar dokumentet?” pyeti Hamza, duke i bërë thirrje Kuvendit të mos bëhet pjesë e asaj që ai e quajti një “valle joserioze”.

Abdixhiku konfirmon mbështetjen, por paralajmëron për sfidën e “shumicës së dyfishtë”

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka zyrtarizuar qëndrimin e saj pro ndryshimeve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit drejtpërdrejt nga qytetarët. Kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar se deputetët e tij do të votojnë pro amendamenteve, duke i dhënë një shtytje të rëndësishme kësaj nisme, pavarësisht kritikave të ashpra për procedurën e nxituar.

Ndonëse LDK i bashkohet mazhorancës në votë, Abdixhiku nuk ka kursyer kritikat ndaj metodologjisë së ndjekur nga pushteti për të shtyrë përpara aktin më të lartë juridik të shtetit. Ai e cilësoi të papranueshme praktikën e ndryshimit të Kushtetutës në seanca të mesnatës pa një debat të gjerë shterues.

“Kushtetuta të ndryshohet natën, besoni, s’ka bereqet,” theksoi kreu i LDK-së nga foltorja e Kuvendit, duke shtuar megjithatë se, pavarësisht vërejtjeve procedurale, “LDK i mbështet dhe i voton” këto amendamente.

Një trashëgimi politike nga Ibrahim Rugova

Për LDK-në, kalimi i zgjedhjes së Presidentit te populli nuk është një kompromis i momentit, por një përmbushje e një vizioni të hershëm ideologjik. Abdixhiku u kujtoi deputetëve se ky koncept daton që nga presidenti historik, Ibrahim Rugova.

Për më tepër, ai theksoi autorësinë e vetë partisë së tij në këto dokumente: ishte pikërisht LDK-ja ajo që në vitin 2011 i hartoi dhe i dërgoi këto amendamente për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, e cila i pastroi dhe i miratoi ato në vitin 2012.

Ngerçi i vërtetë vota e komuniteteve joshumicë

Përtej vullnetit të partive shqiptare (LVV dhe LDK) për të arritur dy të tretat e nevojshme të numrit të përgjithshëm të deputetëve, kreu i LDK-së vuri theksin tek pengesa kryesore që e ka mbajtur këtë nismë të bllokuar prej më shumë se një dekade: detyrimi kushtetues për “shumicën e dyfishtë”.

Sipas nenit për ndryshimin e Kushtetutës, amendamentet nuk mund të kalojnë nëse nuk marrin aprovimin e një shumice specifike. Abdixhiku sqaroi se ky Kuvend nuk ka arritur t’i kalojë ato më parë për një fakt të thjeshtë matematikor dhe politik.

Kërkohen 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës (të paktën 80 vota).

Kërkohen domosdoshmërisht 2/3 e votave të deputetëve që mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë (të paktën 14 nga 20 deputetë të minoriteteve).

Ky detaj tregon se miratimi përfundimtar i zgjedhjes së Presidentit nga populli do të varet tërësisht nga negociatat dhe vullneti i deputetëve të komuniteteve joshumicë brenda sallës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›