E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi miraton marrëveshjen për sigurimet shoqërore me Poloninë dhe projektligjin për nënproduktet shtazore

Kuvendi nderon efektivin e rënë në detyrë, debate për ekonominë, sigurinë dhe Zvërnecin

TIRANË, 4 qershor/ATSH/ Kuvendi nderoi sot me një minutë heshtje efektivin e Forcave “Shqiponja”, Enea Mekolli, i cili humbi jetën gjatë një operacioni policor në Maliq.

Nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu vlerësoi sakrificën e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke theksuar se ata përballen çdo ditë me rreziqe në luftën kundër krimit dhe në shërbim të qytetarëve.

Gjatë seancës plenare, deputetët miratuan projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Polonisë për sigurimet shoqërore, si dhe projektligjin “Për nënproduktet me origjinë shtazore”.

Duke prezantuar marrëveshjen me Poloninë, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi se ajo zgjeron mbrojtjen sociale për qytetarët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. Sipas saj, Shqipëria ka tashmë 21 marrëveshje dypalëshe në fushën e sigurimeve shoqërore.

Seanca u shoqërua me disa interpelanca parlamentare.

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri kërkoi sqarime nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, lidhur me ligjin “Për investimet strategjike”, ligjin “Për zonat e mbrojtura” dhe procesin e digjitalizimit të pronave.

Në përgjigje, Hoxha theksoi se Shqipëria ka arritur rezultatet më të mira në rajon në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian dhe Agjendës Kombëtare të Reformave, sipas vlerësimeve të Komisionit Evropian.

Një tjetër interpelancë u zhvillua mes deputetit të Partisë Demokratike, Klevis Balliu dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, për çështjet e migracionit të paligjshëm dhe trafikimit të qenieve njerëzore.

Lamallari hodhi poshtë pretendimet se Shqipëria po shndërrohet në një kamp tranziti për emigracionin ilegal dhe bëri të ditur se efektivi i Policisë i plagosur gjatë operacionit të sotëm në Maliq ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në seancë u zhvillua edhe një debat për treguesit ekonomikë.

Ministrja Delina Ibrahimaj kundërshtoi vlerësimet e deputetit demokrat Enno Bozdo, duke deklaruar se ekonomia shqiptare ka shënuar përmirësim të vazhdueshëm krahasuar me vitet e mëparshme dhe vijon të jetë ndër ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Ballkanin Perëndimor.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve parlamentare iu kushtua projektit të investimit në Zvërnec dhe protestave të organizuara kundër tij.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi kërkoi transparencë për pronarët përfitues të projektit, duke deklaruar se ende nuk janë bërë publike të dhënat mbi përfituesit fundorë të investimit.

Jashtë ambienteve të Kuvendit, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh se opozita mbështet protestat qytetare kundër projektit, ndërsa theksoi se çdo zhvillim duhet të respektojë standardet mjedisore të Bashkimit Evropian dhe kriteret e programit Natura 2000.

Debati për Zvërnecin vijoi edhe në sallën e Kuvendit. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla mbrojti investimin duke e cilësuar atë strategjik për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë së vendit. Ai deklaroi se investimi do të realizohet dhe se Shqipëria nuk duhet ta humbasë një mundësi të tillë zhvillimi.

Balla replikoi gjithashtu me Berishën lidhur me protestat dhe aktivitetet politike në Vlorë, duke theksuar se investimi në Zvërnec do ta ndihmojë Shqipërinë të pozicionohet mes destinacioneve turistike më të zhvilluara. Ai hodhi poshtë pretendimet e opozitës për mungesë transparence dhe kritikoi përpjekjet për politizimin e debatit.

Në të njëjtën linjë, deputeti socialist Pirro Vengu akuzoi opozitën për politizim të çështjes së Zvërnecit, ndërsa kërkoi që debati të zhvillohet me maturi dhe mbi bazën e interesit publik dhe zhvillimit ekonomik.

Gjatë punimeve, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi iu përgjigj një interpelance të kërkuar nga deputeti demokrat Gjin Gjoni mbi gjendjen e infrastrukturës në veri të vendit, duke deklaruar se projektet kryesore rrugore po vijojnë sipas afateve kontraktuale dhe se procedurat për aksin Milot-Balldren janë drejt përfundimit.

1 nga 2

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›