Kuvendi miraton ndryshime në ligjin “Për Policinë e Shtetit”, Lamallari: Një reformë që e forcon institucionin!

Kuvendi i Shqipërisë miratoi këtë të enjte disa amendime në ligjin “Për Policinë e Shtetit”, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt forcimit të mëtejshëm të këtij institucioni kyç për sigurinë publike dhe sundimin e ligjit.
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan se ndryshimet e miratuara synojnë ta bëjnë Policinë e Shtetit më efikase dhe më funksionale, pa prekur parimet bazë mbi të cilat është ndërtuar institucioni.
Postimi i Lamallarit: Ndryshime të rëndësishme në ligjin për Policinë e Shtetit! Sot u votuan në Kuvend amendimet e reja në ligjin për Policinë e Shtetit, një reformë që e forcon institucionin, pa prekur parimet mbi të cilat është ndërtuar.
Çfarë ndryshon:
Kapacitet drejtues më i fortë – organizim më i thjeshtë dhe funksional, me zinxhir komandimi të qartë e vendimmarrje të shpejtë
Sistemi i karrierës – rikthehet lidhja mes gradës dhe funksionit drejtues, mbi bazën e meritës dhe eksperiencës
Fund vakancave të zgjatura – institucion me drejtues të përgjegjshëm, pa procese burokratike që zgjasin dhe krijojnë vakum
Administrim më modern i burimeve njerëzore – rregulla më të drejta për transferimet dhe një sistem disiplinor më proporcional
Ruajtja e kujtesës institucionale – përvoja e fituar ndër vite trajtohet si kapital shtetëror, jo privilegj
Në kushtet e sfidave të reja të sigurisë dhe krimit transnacional, Shqipëria ka nevojë për një Polici Shteti më të fortë, më profesionale dhe më afër qytetarëve.
/vizionplus.tv