E Hënë, 2 Nëntor 2026

LIBAN – Mbi 20 të vrarë nga sulmet izraelite gjatë natës

BEJRUT/TEL AVIV, 13 mars /ATSH-DPA/- Më shumë se 20 persona kanë humbur jetën gjatë sulmeve izraelite në Liban gjatë natës, njoftuan sot në mëngjes zyrtarët libanezë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, në zonën pranë qytetit bregdetar Sidon u vranë nëntë persona, mes tyre edhe pesë fëmijë.

Bombardime të tjera në jug dhe lindje të vendit shkaktuan vdekjen e 14 personave të tjerë. Ndërkohë, në kryeqytetin Bejrut një person u vra pas një sulmi ndaj një automjeti.

Ushtria izraelite nuk komentoi drejtpërdrejt për këto viktima, por iu referua një deklarate zyrtare për operacionet e fundit kundër milicisë pro-iraniane Hezbollah në Liban.

Në deklaratë thuhet se ushtria ka kryer “dhjetëra sulme” në Bejrut, në Luginën Bekaa në lindje dhe në jug të Libanit.

Sipas saj, objektivat kanë qenë depo armësh dhe pika të rëndësishme të Hezbollahut, me qëllim dobësimin e mëtejshëm të kësaj milicie.

Ushtria izraelite nuk dha fillimisht informacion për numrin e viktimave nga këto operacione.

Gjithashtu, ushtria njoftoi se ka goditur një urë të rëndësishme mbi një lumë në jug të Libanit, duke e cilësuar si një pikë kalimi të rëndësishme për anëtarët e Hezbollahut.

Sipas saj, milicia kishte vendosur aty lëshues raketash dhe kishte qëlluar drejt territorit izraelit.

Autoritetet izraelite bënë thirrje më herët që civilët në zonë të largoheshin për arsye sigurie. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›