E Martë, 3 Nëntor 2026

LONDËR – BM: Ndryshimi i dukshëm i qëndrimit të Trump ndaj Rusisë, i mirëpritur

LONDËR, 27 prill /ATSH-DPA/- Ndryshimi i dukshëm i qëndrimit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump ndaj Rusisë është “i mirëpritur”, sinjalizoi sot një ministër i lartë i Britanisë së Madhe.

Pat McFadden, kancelari i Dukatit të Lancaster, i cili shërbeu si ministri i parë i lartë i Britanisë së Madhe, komentoi publikisht qëndrimin e fundit të Trump.

Trump kritikoi dje presidentin rus, Vladimir Putin, pas takimit me presidentin ukrainas,  Volodymyr Zelensky përpara ceremonisë së funeralit të Papa Françeskut në Vatikan.

Imazhet e takimit brenda Bazilikës së Shën Pjetrit treguan dy udhëheqësit e përfshirë në diskutime intensive në takimin e tyre të parë – që nga përplasja e tensionuar në Shtëpinë e Bardhë, në fund të shkurtit.

Marrëveshja e paqes e propozuar nga administrata Trump ka ngritur dyshime në mesin aleatëve – sipas të cilëve Moska përfiton me shumë sesa Kievi.

Marrëveshja në tryezën e bisedimeve thuhet se do të rezultonte në lëshime të mëdha territoriale nga Ukraina, diçka që Zelensky ka këmbëngulur se nuk do ta pranonte.

Trump vazhdoi dje kritikat e tij ndaj qëndrimit të Zelensky, duke e përshkruar perspektivën e Ukrainës për të rimarrë Krimenë e pushtuar si “qesharake”.

Por, në një ndryshim të dukshëm, ai e drejtoi kritikën e tij edhe ndaj Rusisë.

Në një postim në faqen e tij të internetit “Truth Social”, ai sugjeroi se Putini ndoshta “nuk dëshironte ta ndalonte luftën”.

“Sanksione të reja mund të vendosen ndaj Rusisë”, sugjeroi presidenti amerikan.

“Sigurisht që qëndrimi i Trump në lidhje me njohjen e pasojave të agresionit rus ishte i drejtë dhe i mirëpritur”, tha Pat McFadden për “Sky News”.

“Kjo është një luftë agresioni e Rusisë, kështu që shpresoj që presidenti Trump dhe administrata e tij të mund t’i bashkojnë palët në një mënyrë që të ndalin luftimet duke siguruar një paqe të qëndrueshme”, shtoi ai. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›