Berisha nga Bilishti: Kompensojmë fermerët për dëmtimet që mund t’u vijnë nga faktorët natyrorë

TIRANË, 27 prill/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot, nga Bilishti se “paqja fiskale” e qeverisë Rama shërben për legalizimin e parave të krimit.
Gjatë takimit me mbështetës të opozitës, ai ka paraqitur një sërë premtimesh në fushën e bujqësisë dhe ekonomisë, duke garantuar mbrojtje për fermerët dhe bizneset e vogla.
“Me TVSH-në asimetrike që kanë vendosur për punonjësit e prodhimeve tuaja, e kanë më të leverdisshme për ta, që më mirë të marrin prodhimet e importit se sa prodhimet tuaja. Merr fund kjo! TVSH-ja, do të jetë e njëjtë, si në shitje, ashtu edhe në blerje. Çka do të thotë, TVSH-ja do t’ju rikthehet ju. Do ta merrni ju për shitjet tuaja TVSH-në”, deklaroi Berisha.
Berisha po ashtu premtoi se do të ndalohet çdo input bujqësor që nuk tregtohet mbi dy vende anëtare të BE-së.
“Askush, nuk do mundë t’ju shesë ju helme të cilat kanë efekte shkatërrimtare mbi shëndetin e njerëzve, dhe pastaj të dalin prodhimet tona jashtë e të kthehen, sepse ato mbajnë mbetje pesticide, apo insekticide, apo një sërë inputesh të tjera. Kështu që, ne do vendosim një kontroll shumë rigoroz mbi çdo import të inputeve tuaja. Do mbrohen në sezon të gjitha prodhimet tuaja. Ju jap fjalën se në sezonin e vet, çdo prodhim i juaji do mbrohet dhe nuk do të lejohen importe që dëmtojnë dhe bllokojnë prodhimin tuaj”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se do krijohet një fond i veçantë, me të cilin qeveria do të kompensojë fermerët për dëmtimet që mund të vijnë nga faktorët natyrorë.
“Do ju paguhet me një çmim bazë prodhimi, në mënyrë që ju vitin e ardhshëm të mund të vazhdoni përsëri ciklin e ri të prodhimit.
Banka Shqiptare e Zhvillimit që do të ngrihet nga qeveria do t’ju japë ju kredi të buta. Qeveria do t’ju mbulojë 80% të interesave të kredive tuaja. Do investohet në çdo 70 milionë euro në punim, vaditje dhe në mbrojtjen e tokës”, deklaroi kreu i PD-së.
Kryedemokrati vuri në dukje se siguria ushqimore është një drejtim tjetër për të cilin qeveria e drejtuar prej tij do të tregojë përkushtim të madh.
Ai foli edhe për klimë të favorshme për biznesin ku premtoi ulje të çmimit të energjisë për biznesin dhe taksa vendore të ulëta.
“Energjia për bizneset e vogla do të jetë 6 lekë. Sipërfaqja publike, do t’u jepet absolutisht me 1/5 e çmimit të sotëm. Bashkitë, nuk do mund të vendosin asnjë tarifë, taksë tjetër më shumë se 1% të xhiros. Bizneset tjera do kenë tatim fitim 10%. TVSH-ja 15%, energjia 6 lekë. Pra, do krijojmë klimën më të favorshme”, tha ai.
Berisha gjithashtu akuzoi qeverinë se ka shkatërruar tregun valutor përmes të ashtuquajturës “narko-euro”, duke përmendur një rënie të ndjeshme të euros si pasojë e fluksit të parave të pista në ekonomi.
”Ne do ju kompesojmë qindarkë për qindarkë uljen, zhvlerësimin e euros nga narkoeurot, gjersa të arrijmë të presim çdo kanal të kësaj mbetjeje toksike. Shqipëria nuk ka nevojë për narko-euro, por për euro europiane. Dhe ne do ta realizojmë këtë”, tha ai.
Berisha e quan “paqen fiskale” të qeverisë, një mjet për të legalizuar paratë e pista të krimit, duke pretenduar se trafikantët përfitojnë përmes saj për të pastruar të ardhurat nga aktivitetet e paligjshme.
“Kjo paqja fiskale është që t’i lirojë trafikantët të legalizojnë paratë e krimit. Tani, ku qendrojmë ne. Të gjithëve ju, të gjithë qytetarëve të Devollit, të gjithë qytetarëve shqiptarë do t’u falet çdo gjobë që keni para datës 11 majit. Nuk janë problemi i shqiptarëve paratë e fshehura të drogës, por janë gjobat absurde të pashpirta që kanë vendosur inspektorët e bashkisë dhe të qeverisë me radhë. Ato bëhen zero më datën 11 maj”, tha Berisha.
/r.e/