Basha me ekspertët: Rritje e transparencës dhe llogaridhënies në sistemin e shëndetësisë

TIRANË, 27 prill /ATSH/ Drejtuesi Politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, zhvilloi sot një takim me ekspertë të shëndetësisë, ku paraqiti pikat kryesore të programit për reformimin e sistemit shëndetësor në Shqipëri.
Ai theksoi se “Shqipëria ka mundësinë financiare për të ofruar një shërbim shëndetësor të nivelit të standardeve ndërkombëtare, si ai italian, me efikasitet më të lartë”.
Basha tha se, “parimi “paraja ndjek pacientin”, ka për qëllim rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në sistemin e shëndetësisë, duke përcaktuar çmimet e diagnozave dhe trajtimeve në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare”.
Sipas tij, “spitalet duhet të veprojnë si ndërmarrje që mbajnë përgjegjësi financiare për veten e tyre, ndërsa investimet në kapacitetet e fakulteteve dhe universiteteve mjekësore do të dyfishojnë numrin e mjekëve të rinj, duke përmirësuar kështu cilësinë e shërbimeve shëndetësore”.
Pëmes digjitalizimit të shërbimit shëndetësor, Basha tha se, “krijimi i kartës shëndetësore digjitale për qytetarët shqiptarë, duke modernizuar sistemin dhe lehtësuar qasjen në të dhënat e pacientëve që do të jenë të aksesueshme online nga 2025”.
Një tjetër pikë ku u ndal ishte edhe reforma në sistemin farmaceutik.
Ai tha se, “qeveria aktuale largoi praktikën e homologimit të barnave dhe hapjen e tregut për barna me origjinë të dyshimtë. Sipas tij, do të ketë një sistem të rreptë kontrolli për barnat, duke u fokusuar në medikamentet e homologuara nga vendet me standarde të larta të shëndetësisë dhe eliminimin e barnave të pasigurta”.
Pjesë të programit Basha tha se, “është edhe rimbursimi sipas diagnozës, veçanërisht për pensionistët, me qëllim që të eliminohet kostoja e barnave për ata që janë në nevojë”.
/r.e/