LONDËR – BM dënon fuqishëm përshkallëzimin e konfliktit pas sulmit të Iranit në bazën ushtarake amerikane

LONDËR, 23 qershor /ATSH-DPA/- Britania e Madhe dënon fuqishëm çdo përshkallëzim në Lindjen e Mesme, tha sot ministri i Forcave të Armatosura, Luke Pollard – pas sulmit të Iranit me raketa në një bazë ushtarake amerikane, në Katar.
Irani njoftoi në televizionin shtetëror se kishte sulmuar forcat e stacionuara në Bazën Ajrore amerikane al-Udeid në Katar, një hakmarrje ndaj sulmeve të Amerikës ndaj centraleve të saj bërthamore.
Ministri i Forcave të Armatosura, Pollard tha se Britania e Madhe po monitoronte nga afër situatën – që po ndryshonte me shpejtësi – dhe se qeveria e BM-së dënonte fuqimisht çdo përshkallëzim.
“Mbrojtja e forcave tani është në nivelin e saj më të lartë në të gjitha njësitë e vendosura në Lindjen e Mesme”, tha ai.
“Avionët shtesë “Typhoon” të Forcave Ajrore të njoftuar nga kryeministri tani kanë mbërritur në rajon për të përforcuar qëndrimin tonë, për të penguar kërcënimet dhe për të siguruar partnerët tanë, dhe dua të jem i qartë, ne nuk do ta përjashtojmë dërgimin e pajisjeve të mëtejshme nëse kërkohen”, tha ai.
Ministria e Jashtme këshilloi shtetasit britanikë në Katar të strehoheshin pas një alarmi sigurie nga SHBA-ja.
Katari, i cili më herët mbylli përkohësisht hapësirën e tij ajrore, tha se i kishte interceptuar me sukses raketat dhe nuk ishin raportuar viktima.
Një bazë ushtarake në Irak që strehonte trupa amerikane u raportua gjithashtu si një tjetër shënjestër, por Irani nuk mori përsipër përgjegjësinë për atë sulm. //a.i/