LONDËR – Bisedimet BM-SHBA vazhdojnë me qetësi dhe ftohtësi pas pezullimit të tarifave amerikane

LONDËR, 10 prill /ATSH-DPA/ “Downing Street” tha se Britania e Madhe do të vazhdonte negociatat e saj me qetësi dhe ftohtësi – pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi një pauzë 90-ditore të tarifave për shumicën e vendeve.
Presidenti amerikan tha se ai do të vononte tarifat për shumicën e vendeve për 90 ditë, ndërsa do të rriste normën e taksave për importet kineze deri në 125%.
Detajet nuk ishin menjëherë të qarta, por sekretari amerikan i Thesarit tha se Trump do të mbante tarifat e tij bazë me 10% për shumicën e vendeve.
Kjo nuk përkthehet në një ndryshim të menjëhershëm për Britaninë e Madhe.
“Lufta tregtare nuk është në interesin e askujt”, tha një zëdhënëse e Zyrës së Kryeministrisë.
Pas disa ditësh trazirash, aksionet amerikane u rritën pas njoftimit se presidenti i SHBA-së po tërhiqej nga lufta tregtare në shkallë të gjerë.
Britania e Madhe është kursyer nga tarifat më të larta që prekin të tjerët dhe ka rezistuar ndaj marrjes së masave të menjëhershme hakmarrëse, ndryshe nga BE-ja, e cila votoi dje për të vendosur tarifa hakmarrëse ndaj disa mallrave amerikane.
Kryeministri britanik Keir Starmer paralajmëroi më herët se arritja e një marrëveshjeje ekonomike me SHBA-në apo sigurimi i tarifave të ulëta amerikane për Britaninë e Madhe nuk do të ishte e mjaftueshme.
Kancelaja e Thesarit, Rachel Reeves tha se BM-ja duhet të përmirësojë marrëdhëniet edhe me vendet e tjera përveç SHBA-së, përfshirë BE-në.
Starmer tha se trazirat në tregje nuk do të çonin në një lehtësim të rregullave fiskale të vetëimponuara nga qeveria e BM-së – të cilat ai i quajti “të hekurta” dhe “të panegociueshme”.
Ministrat ende shpresojnë se mund të arrihet një marrëveshje ekonomike me Uashingtonin për të zbutur ndikimin e disa prej tarifave të Trump – të cilat përfshijnë gjithashtu një tarifë prej 25% për makinat, çelikun dhe aluminin. / /a.i/