E Martë, 3 Nëntor 2026

Parku fotovoltaik i Karavastasë, Solovova: Shqipëria me tarifën më të ulët të energjisë diellore në Ballkanin Perëndimor

TIRANË, 10 prill /ATSH/ Përfaqësuesja e Përhershme e Zyrës së BERZH-it në Shqipëri, Ekaterina Solovova, deklaroi se “BERZH e ka mbështetur me 100 milionë euro projektin fotovoltaik të Karavastasë dhe është i gatshëm të mbështesë investime të reja, si një partner i angazhuar të mbështesë Shqipërinë”.

E pranishme sot, në ceremoninë e përurimit të parkut diellor të Karavastasë, Solovova e cilësoi parkun diellor të Karavastasë me 140  MGW prodhim të energjisë, një projekt shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe të gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Ky është një projekt që është ndërtuar sipas standardeve më të mira teknike, mjedisore dhe sociale”, tha ajo.

Në BERZH, vijoi ajo kemi pranuar prej shumë kohësh shkallën dhe urgjencën e tranzicionit të energjisë dhe mundësitë që ai paraqet për Shqipërinë. “Prandaj diversifikimin e burimeve të energjisë e kemi bërë përparësi strategjike të punës tonë, por nuk ka qenë e mjaftueshme vetëm kjo. Profesionalizimi dhe angazhimi i partnerëve tanë dhe homologëve tanë shqiptarë ka qenë përparësi kryesore e përurimit që kemi sot”, vijoi Solovova.

Ajo tha se, bashkëpunimi i BERZH në Shqipëri nisi në vitin 2017 me një takim trajnimi që hodhi farën e asaj që do të bëhej një angazhim transformues.

“Në 2018 ekipi ynë do të punonte ngushtë me MIE-së për të ngritur themelet ligjore për kuadrin politik konkurrues dhe mbështetës. Së bashku hodhëm themelet për ankandin e parë në Shqipëri që e kurorëzojmë sot në terren”, u shpreh Solovova.

Ajo deklaroi se, “Shqipëria ka ende rekordin për tarifën më të ulët të energjisë diellore në Ballkanin Perëndimor dhe tashmë ka dhënë më shumë se 800 MGV përmes 4 ankandeve të suksesshme duke e vënë vendin në hartë si destinacion investimi për shoqëritë ndërkombëtare”.

“BERZH e ka mbështetur me krenari projektin fotovoltaik të Karavastasë nga kompania “Voltalia” me 100 milionë euro financim tregtar si shembullin ku politikat inteligjente ndihmojnë në mobilizimin dhe financimin privat, për të trajtuar nevojat strategjike të vendit dhe po presim projektin e ardhshëm për të cilin është rënë dakord. BERZH është i gatshëm të mbështesë ankandet e reja për investime të reja dhe ne jemi partnerë i angazhuar i Shqipërisë”, tha Solovova. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›