E Hënë, 2 Nëntor 2026

LONDËR – Britania i shet Turqisë 20 avionë “Typhoon”

LONDËR, 27 tetor /ATSH-DPA/ – Britania e Madhe ka arritur një marrëveshje me Turqinë për shitjen e 20 avionëve luftarakë “Eurofighter Typhoon”, me vlerë deri në 8 miliardë paund. Kryeministri britanik Keir Starmer e nënshkroi sot marrëveshjen gjatë vizitës së tij në Ankara.

Starmer e quajti marrëveshjen “një fitore për punëtorët britanikë, për industrinë e mbrojtjes dhe për sigurinë e NATO-s”, duke theksuar se bashkëpunimi me Turqinë e forcon edhe vetë aleancën.

Kjo është marrëveshja më e madhe e eksporteve ajrore të Britanisë në gati dy dekada dhe porosia e parë e re për avionët “Typhoon” që prej vitit 2017, duke garantuar mijëra vende pune në Britaninë e MAdhe.

Avionët prodhohen nga një konsorcium ndërmjet Britanisë, Gjermanisë, Spanjës dhe Italisë.

Sipas qeverisë britanike, rreth 37% e prodhimit realizohet në Britani, përfshirë montimin final në uzinat “BAE Systems” në Warton dhe Samlesbury. Vetëm në këto dy qendra, programi “Typhoon” mbështet rreth 6 000 vende pune, ndërsa qindra të tjera sigurohen në sektorë të tjerë të zinxhirit të furnizimit.

Dorëzimi i avionëve pritet të nisë në vitin 2030.

Gjatë vizitës, kryeministri Starmer vendosi një kurorë te mauzoleumi i Mustafa Kemal Atatüuk, përpara se të finalizonte marrëveshjen në pallatin presidencial me presidentin Recep Tayyip Erdogan. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›