E Diel, 1 Nëntor 2026

LONDËR – Policia britanike heton lidhjet e Andrew me Epstein

LONDËR, 9 shkurt /ATSH-DPA/ – Policia britanike po shqyrton pretendimet se Andrew Mountbatten-Windsor ka ndarë raporte konfidenciale në rolin e tij si i dërguar tregtar i Britanis së Madhe me Jeffrey Epstein.

Emaile të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë sugjerojnë se ish-duka ka përcjellë raporte mbi vizita zyrtare në Hong Kong, Vietnam dhe Singapor në fund të vitit 2010.

Një prej mesazheve u dërgua vetëm pak minuta pasi ishte përgatitur nga këshilltari i tij i atëhershëm.

Sipas dokumenteve, Andrew e ka përfshirë Epstein edhe në një përmbledhje konfidenciale mbi mundësitë e investimit në rindërtimin e provincës Helmand në Afganistan, në prag të Krishtlindjeve të vitit 2010.

Graham Smith, drejtori ekzekutiv i grupit republikan “Republic”, tha se i ka raportuar këto pretendime Policisë së “Thames Valley”, duke i cilësuar si dyshime për keqpërdorim të detyrës publike dhe shkelje të sekreteve zyrtare.

Policia konfirmoi se ka marrë raportimin dhe se po vlerëson informacionin sipas procedurave të saj.

Hetimi vjen pas shqyrtimeve të tjera të fundit që lidhen me akuzat për marrëdhëniet e Andrew-it me Epstein.

Andrew ka mohuar më herët çdo shkelje lidhur me Epstein-in dhe ka deklaruar se ka ndërprerë kontaktet me të në dhjetor 2010.

Megjithatë, udhëzimet zyrtare qeveritare theksojnë se roli i një të dërguari tregtar përfshin detyrimin për të ruajtur konfidencialitetin e informacionit të ndjeshëm. /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›