E Martë, 3 Nëntor 2026

LVV-ja s’tërhiqet nga kërkesa për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit

PRISHTINË, 27 qershor/ATSH/ Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se nëse nuk i merr 61 votat e nevojshme për kryetare të kuvendit me votim të fshehtë, ajo do të tërhiqet nga kandidatura për të parën e legjislativit.

Haxhiu në konferencë për media të premten, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për krizën politike, ftoi partitë që deri tani ishin në opozitë të reflektojnë dhe të zgjidhin ngërçin në Kuvend.

Sipas saj, votimi i fshehtë nuk është antikushtetues dhe kjo vërtetohet edhe pas aktgjykimit të Kushtetueses.

“Prandaj, me rastin e votimit të fshehtë, kur votojnë të gjithë deputetët, ashtu siç ka kërkuar Gjykata Kushtetuese nëse unë si kandidate e propozuar nga LVV-ja nuk i marr së paku 61 vota, tërhiqem nga kandidatura për kryetare të Kuvendit”, tha ajo.

Përkitazi me këtë, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për krizën politike tregon se konstituimi i Kuvendit të Kosovës është përgjegjësi e të gjitha subjekteve parlamentare.

Duke dhënë interpretimin e LVV-së për vlerësimin e Kushtetueses për bllokadën në Kuvend, Konjufca tha se lideri partiak, Albin Kurti, do të bëjë përpjekje të re për zgjidhjen e krizës, duke ftuar për takim të shtunën të gjithë liderët e partive parlamentare.

Sipas Konjufcës, aktgjykimi i Kushtetueses tregon se LVV-ja deri tani ka ndërmarrë të gjitha veprimet për konstituimin e Kuvendit, ndërkaq partitë që deri tani ishin në opozitë kanë qenë bllokuese.

Sipas tij, tri konstatimet kryesore të Kushtetueses janë që obligimi për konstituimin e Kuvendit është përgjegjësi e të gjitha grupeve parlamentare, zgjedhja e kryekuvendarit është e parashikueshme me zgjedhjen e nënkryetarëve, si dhe votimi i fshehtë nuk është antikushtetues.

Megjithatë, ai tha se në aktgjykim nuk shkruan se në çfarë faze mund të hyjë Kosova pas afatit tridhjetëditor të paraparë për konstituim të Kuvendit.

Andaj, ai e konsideroi të domosdoshme zgjidhjen e ngërçit dhe zgjedhjen e trupave të legjislativit

Sipas tij, votimit të fshehtë duhet t’i jepet një epilog dhe i njëjti duhet të votohet në seancën konstituive.

“Propozimi për votim të fshehtë për kryetar të Kuvendit nga ana e kryesuesit, Avni Dehari, gjykata nuk ka gjetur asnjë shkelje sa i përket votimit të fshehtë. Të gjithë ata që thonë se Avni Dehari e shkeli Kushtetutën përmes votimit të fshehtë, unë mendoj se ata janë lexues të dobët të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Ata ose e interpretojnë gabimisht ose me interpretimet e të tjerëve. Kjo nuk është mirë. Gjykata Kushtetuese ka thënë që nuk ka asnjë klauzolë eksplicite që obligon kuvendin me shkuar deri në pafundësi me votim të hapur. Edhe votimi i fshehtë është në të njëjtën kategori sikurse votimi i hapur…Ne nuk mund ta dimë se çfarë faze hyn Kosova pas 26 korrikut. Ne mund të spekulojmë. Pashë sot në mëngjes disa interpretime, prej zgjedhjeve të reja deri në asgjë fare”, tha ai.

Madje nga LVV-ja u ritheksua  se nuk do të tërhiqen nga kërkesa për votim të fshehtë, pasi kërkesa për formimin e komisionit për votim të fshehtë duhet të merret një epilog me votë në seancë konstituive.

/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›