Apeli i GJKKO kalon në “arrest në shtëpi” Ilir Selmanin, akuzohet për vrasjen e ish-policit Malko

TIRANË, 19 qershor /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi sot ndryshimin e masës së sigurisë për të pandehurin Ilir Selmani, duke zëvendësuar masën “arrest në burg” me “arrest në shtëpi”.
Selmani akuzohet si një nga autorët e vrasjes së ish-policit Santiago Malko në gusht të vitit 2019 në Tiranë.
Sipas vendimit të shpallur në Tiranë, Apeli i GJKKO-së pranoi kërkesën për konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit të lidhur me masën e sigurisë të caktuar më herët ndaj të pandehurit.
Gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm të Ilir Selmanit dhe shoqërimin e tij në banesë për ekzekutimin e masës së re.
Po ashtu, prokuroria dhe policia gjyqësore u ngarkuan me mbikëqyrjen e pandërprerë të qëndrimit të të pandehurit në banesë. Vendimi mund të ankimohet me rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij, thuhet në njoftimin për shtyp.
/e.xh/a.f/r.e/