Mbyten dy të mitura në Tale të Lezhës

TIRANË, 19 qershor /ATSH/ Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Tale të Lezhës, ku dy vajza të mitura janë mbytur duke u larë në det.
Policia e Lezhës njofton se ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:50, në plazhin e Tales, ku dy shtetase të mitura, të moshave 9 dhe 11 vjeçe, dyshohet se janë mbytur gjatë kohës që po laheshin në det.
Shërbimet e Policisë Kufitare dhe të DVP Lezhë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.
Në bashkëpunim me pushuesit, është bërë e mundur gjetja dhe nxjerrja e trupave të pajetë në breg.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për zbardhjen e rrethanave të rastit.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar dhe kreu i bashkisë së Lezhës, Pjerin Nderu.
“Shpreh dhimbjen time të thellë për humbjen tragjike të jetës së dy vajzave të mitura në plazhin e Tales. Kjo është një ngjarje e rëndë, përballë së cilës fjalët janë të pamjaftueshme. Ngushëllimet më të sinqerta familjeve dhe të afërmve të tyre”, u shpreh Ndreu.
“Si drejtues i pushtetit lokal, shpreh shqetësimin për mungesën e kujdesit dhe vigjilencës në plazhet e pamenaxhuara, të cilat nuk administrohen as nga subjektet private dhe as nga Bashkia. Në hapësira të tilla, kujdesi prindëror ndaj fëmijëve, si dhe vëmendja e familjarëve dhe shoqërisë ndaj personave që nuk dinë not, duhet të jetë maksimal në çdo moment”, vijon Ndreu.
Sipas tij, “plazhet e menaxhuara janë të pajisura me sinjalistikën përkatëse, zona të identifikuara qartë për pushuesit dhe infrastrukturën e nevojshme për sigurinë e tyre.
Siguria në plazh është një përgjegjësi e përbashkët dhe kërkon ndërgjegjësim, kujdes dhe bashkëpunim nga të gjithë”.
/a.f/r.e/