E Hënë, 2 Nëntor 2026

Laboratorët e teknologjisë në UPT, Manastirliu: Fuqizojmë urat e bashkëpunimit akademi-biznes

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Investimet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në laboratorët e teknologjisë së avancuar në Universitetin Politeknik të Tiranës, kanë krijuar kushte të reja për kërkimin shkencor për studentët dhe stafet akademike të këtij universiteti.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu gjatë një vizite në një nga laboratorët e teknologjisë, e shoqëruar edhe nga rektori i UPT-së, Akli Fundo, stafi akademik si edhe përfaqësues të industrisë së teknologjisë së informacionit, panë nga afër laboratorët e teknologjisë në këtë universitet.

Ministrja Manastirliu tha se ky investim është një tjetër qasje për të “fuqizuar urat e bashkëpunimit akademi-biznes”.

“Ky është një hap drejt zgjerimit të bashkëpunimit, me qëllim krijimin e zgjidhjeve të reja SMART për industrinë, duke krijuar partneritete të qëndrueshme për të rritur kapacitetet në pjesëmarrjen e projekteve për inovacionin të Bashkimit Evropian”, tha Manastirliu.

Më herët, Manastirliu nënvizoi rëndësinë e laboratorëve për zhvillimin akademik dhe ndërkombëtarizimin e universiteteve.

“Ne duhet të kemi mundësi që të zhvillohemi edhe për sa i përket aspekteve akademike dhe kërkimit shkencor duke krijuar mundësinë e ndërkombëtarizmit. Shqipëria ka mundësi që të zhvillohet në fushën e inovacionit dhe këtu rol të rëndësishëm luajnë universitetet si dhe bashkëpunimi që universitet kanë më institucionet ndërkombëtare partnere”, u shpreh Manastirliu.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu gjatë një vizite në një nga laboratorët e t... 1 nga 20

/e.i/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›