Lamallari: Ska datë për kthimin e monopatinave, risku për aksidente mbetet i lartë

TIRANË, 3 prill /ATSH/ Qarkullimi i monopatinave është ndaluar prej gjashtë muajsh, ndërsa autoritetet nuk parashikojnë një rikthim të menjëhershëm të tyre në rrugë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, i pyetur sot në një konferencë për shtyp se kur mund të rinisë qarkullimi i monopatinave, deklaroi se ende nuk ka një nismë të re ligjore në këtë drejtim, për shkak të rrezikut të lartë për shtimin e aksidenteve.
“Të them të drejtën, pasi jam njohur me shifrat, e kam shumë të vështirë t’i injoroj ato, pasi do të ishte tradhti ndaj atyre të dëmtuarve. Jam shumë ngurrues të shkoj më tej me nisma ligjore pa pasur diçka të mirë menduar, pasi unë këtu jam për të mbrojtur jetën e qytetarëve”, u shpreh Lamallari.
Ai theksoi se vendimmarrja për të ardhmen e monopatinave do të bazohet në analiza të plota dhe në përfshirjen e të gjitha palëve të interesuara.
“Nga miratimi i atij urdhri dhe efektet që ai dha, 6 aksidente në krahasim me 2500 është një shifër kokëfortë dhe duhet marrë në analizë për çdo sugjerim dhe hap të mëvonshëm. Të gjithë ata deputetë që pretendojnë se janë të shqetësuar për këtë çështje nuk mund të sillen sikur kjo nuk është e pranishme”, deklaroi ministri.
Lamallari shtoi se vendimi për ndalimin nuk ka qenë i njëanshëm, por i konsultuar edhe me grupet e interesit dhe qytetarët.
“Nuk ka qenë një vendim i marrë në një zyrë, por edhe në grupe interesi ku janë përfshirë qytetarë, këmbësorë dhe të rinj, të cilët kanë shprehur si përfitimet nga përdorimi i monopatinave, ashtu edhe rreziqet. Duhet të ndërmarrim nisma të tilla, përfshirë edhe ndryshimet në Kodin Rrugor, duke marrë parasysh të gjithë faktorët, jo vetëm të drejtën e pronës”, tha ai.
Ndërkohë, ministri sqaroi se monopatinat e sekuestruara do t’u kthehen vetëm individëve që provojnë pronësinë e tyre.
“Ata që nuk kanë dokumentacionin e pronësisë nuk mund t’i marrin monopatinat e sekuestruara”, përfundoi Lamallari.
/gj.m/