Rama: Bashkitë të raportojnë pikat e dobëta të infrastrukturës mbrojtëse

TIRANË, 3 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, zhvilloi sot një takim me kryetarët e bashkive në kuadër të turit për “Punët e Shqipërisë”.
Gjatë takimit Kryeministri bëri të ditur se do të rajonalizohet shërbimi i urbanistikës për bashkitë, ndërsa u ndal edhe te nevoja për forcimin e infrastrukturës mbrojtëse.
“Do të rajonalizojmë shërbimin e urbanistikës për ju. Me ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural si dhe me Ministrinë e Mbrojtjes kemi bërë një diskutim të gjerë e të gjatë lidhur me krijimin e një ure bashkëpunimi për rezistencën e infrastrukturës kritike dhe këtu në rastin konkret kam parasysh edhe infrastrukturën mbrojtëse, kanalet, argjinaturat, hidrovoret, të cilat janë themelore për të mbrojtur tokat, për të mbrojtur shtëpitë nga përmbytjet si edhe patjetër për të siguruar në mënyrë të vazhdueshme mirëfunksionimin e të gjithë këtij sistemi”, u shpreh Rama.
Ai kërkoi nga kryebashkiakët që të paraqesin analiza të detajuara për pikat e dobëta të sistemit të mbrojtjes, në mënyrë që të planifikohen më mirë investimet dhe ndërhyrjet.
Rama theksoi se një pjesë e punimeve do të realizohen drejtpërdrejt nga forcat xheniere të Republikës së Shqipërisë, duke rritur kapacitetet e brendshme për ndërhyrje.
“Këtu kemi nevojë për ju në një aspekt. Na duhet dhe do të duhet që t’i përcillni ministrit të pushtetit vendor, analizën tuaj për pikat e dobëta të sistemit të mbrojtjes”, iu drejtua Rama- kryebashkiakëve.
“Ne kemi të dhënat e ministrisë së Bujqësisë dhe kemi të dhënat e krizave që kanë kaluar më përpara dhe të nevojave të bëra me dije më përpara. I kemi të gjitha këto. Por gjithsesi duke pasur nga ju në një format shumë të thjeshtë pikat e dobëta dhe me prioritete, kjo na ndihmon që të planëzojmë më mirë financimin dhe investimet për ndërhyrje të cilat do të rriten në mënyrë shumë të ndjeshme si rezultat i këtij formatimi që iu thashë më parë. Pra duke futur në punë edhe ministrinë e mbrojtjes, qoftë në aspektin e financimit, qoftë në aspektin e forcave”, tha Rama.
“Kemi diskutuar dhe kemi bërë një plan për të rritur kapacitet e brendshme që shumë gjëra nga këto që janë të nevojshme të bëhen drejtpërdrejt nga forcat xheniere të Republikës së Shqipërisë”, tha Rama.
/gj.m/a.f/