Rama: Nisim prodhimin e automjeteve zjarrfikëse

TIRANË, 3 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste bëri të ditur sot se do të nisë prodhimi në vend i automjeteve zjarrfikëse, të cilat do të vendosen në dispozicion të bashkive për përballimin e situatës së zjarreve.
Gjatë takimit me kryetarët e bashkive në kuadër të turit për “Punët e Shqipërisë”, Rama u ndal te mbrojtja nga zjarret.
“Një komponent i rëndësishëm i punës suaj dhe i punës sonë të përbashkët është mbrojtja nga zjarret. Jemi të vetëdijshëm për mangësitë e trashëguara me logjistikën që lidhen me zjarrfikësit”, tha Rama.
Kryeministri informoi se është miratuar një projekt i paraqitur nga Ministri i Pushtetit Vendor, lidhur me një financim të nevojshëm për shtimin e flotës së zjarrfikësve.
“Duke shfrytëzuar kapacitetet e kompanisë që është një shoqëri e përbashkët shtetërore dhe private e krijuara rishtaz në sistemin tonë të Ministrisë së Brendshme do të fillojmë të prodhojmë dhe vëmë në dispozicion të bashkive automjetet zjarrfikëse që janë të domosdoshme, duke pasur parasysh që fenomeni i zjarreve, sidomos në sezonin e pikut të nxehtësisë, po vjen duke u agravuar”, u shpreh Rama.
/a.f/