Lamallari pret Koopman: Konsultime për Kodin Penal dhe harmonizimin ligjor me BE

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, zhvilloi sot një takim me drejtorin e përgjithshëm të Komisionit Evropian për Negociatat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Gert Jan Koopman.
Gjatë bisedës, Lamallari vuri në dukje progresin e Shqipërisë në zbatimin e reformave kyçe në sektorin e drejtësisë, veçanërisht në kuadër të Kapitullit 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”.
Ai informoi z. Koopman mbi procesin gjithëpërfshirës të konsultimit të draftit të Kodit të ri Penal dhe punën paraprake për amendimin e Kodit të Procedurës Penale, me synim harmonizimin e plotë me standardet evropiane.
“E njoha z. Koopman me procesin gjithëpërfshirës dhe transparent të konsultimit të draft Kodit të ri Penal me të gjithë institucionet dhe grupet e interesit, si dhe punën parprake për amendimin e Kodit të Procedurës Penale, duke synuar harmonizimin sa më të plotë të tij me standardet dhe përcaktimet ligjore”
Ministri theksoi se Shqipëria po vijon paralelisht forcimin e kapaciteteve institucionale dhe bashkëpunimin me agjencitë evropiane në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ai nënvizoi se kuadri ligjor antikorrupsion po harmonizohet përmes konsultimeve intensive me Komisionin Evropian, duke përfshirë ligjet për konfliktin e interesit, sinjalizimin, lobimin dhe financimin e partive politike.
“Të vendosur të vijojmë në rrugën e reformave dhe përmbushjes së objektivit tonë ambicioz për Shqipërinë 2030 në BE”, u shpreh Lamallari, duke e cilësuar takimin si një hap të rëndësishëm drejt afrimit të vendit me anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
/rtsh.al/