BE përgatit objektiv të ri klimatik – Plani synon uljen e emetimeve dhe luftën kundër krizave klimatike në Europë

Bashkimi Evropian pritet të shpallë së shpejti një objektiv të ri për klimën, me qëllim përshpejtimin e luftës kundër ngrohjes globale dhe mbrojtjen e mjedisit. Zëvendës presidentja e Komisionit Evropian, Teresa Ribera, u shpreh në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së se vendet anëtare janë në diskutime të avancuara për të vendosur një qëllim të ri deri në vitin 2040.
Ajo tha se Komisioni është i angazhuar për një qasje të balancuar që ruan ambientin, por edhe ekonominë. “Nuk mund të presim më, vendimet duhet të merren tani,” deklaroi Ribera për mediat ndërkombëtare.
Deri më tani, BE ka qenë ndër aktorët kryesorë globalë në përpjekjet për uljen e emetimeve dhe zhvillimin e burimeve të pastra të energjisë. Synimi i ri do të jetë një shtesë ndaj planit aktual për neutralitet klimatik deri në vitin 2050.
Sipas zyrtarëve të Brukselit, krizat ekstreme klimatike po kërkojnë veprime më të forta dhe më të shpejta. Kërkesat për masa të menjëhershme janë shtuar edhe nga vende të tjera si Franca dhe Gjermania. Paralelisht, vendet më të vogla anëtare kërkojnë mbështetje financiare për të përballuar kostot e tranzicion energjetik.
Lajmi vjen në një kohë kur në shumë pjesë të Evropës po përjetohen temperatura ekstreme dhe thatësira të zgjatura. Organizatat mjedisore kanë kërkuar që objektivi i ri të jetë sa më ambicioz. Propozimi pritet të bëhet publik në javët në vijim dhe më pas do t’i nënshtrohet miratimit nga Këshilli dhe Parlamenti Evropian.
Ekspertët e klimës paralajmërojnë se çdo vonesë mund të ketë pasoja të parikuperueshme. Ndërkohë, opinionet publike në shumë vende anëtare po shfaqin mbështetje gjithnjë e më të madhe për masa të forta mjedisore.
Gazetar: A. Mata
/rtsh.al/