E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lamallari takon Dumanin, Bardhi: Akt propagande i pandodhur kurrë më parë

TIRANË, 22 shtator /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi reagoi sot pas takimit të ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari me kreun e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani.

Bardhi u shpreh në një postim në rrjetet sociale se, “marrëdhënia e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme SPAK me segmente të Ekzekutivit, përfshirë Ministrin e Drejtësisë, duhet të udhëhiqet vetëm nga ligji”.

“Marrëdhënie të tilla institucionale nuk duhet të ndodhin për nevoja propagande të Ekzekutivit, sepse SPAK nuk mund të jetë mekanizëm propagande i Qeverisë, por institucioni kyç që lufton korrupsionin qeveritar dhe krimin e organizuar”, theksoi Bardhi.

Sipas tij, “askund, por askund nuk parashikohet se me drejtuesin e SPAK ndahen prioritetet e Qeverisë dhe aq më pak që ky i fundit dëgjon prioritetet e programit të Qeverisë”.

Bardhi shtoi se, “SPAK nuk është institucion nën varësinë e ekzekutivit dhe nuk duhet të sillet në publik si i tillë, sepse pavarësia e sistemit gjyqësor duhet edhe të duket që ekziston”.

“Kjo pozë në zyrën e Ministrit të Drejtësisë dhe njoftimi i Ministrit të Drejtësisë që ka ndarë prioritetet e programit qeverisës, është një akt propagande i pandodhur kurrë më parë”, përfundoi Bardhi.

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari priti sot në një takim drejtuesin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani. Gjatë takimit, ministri Lamallari theksoi se, shteti i së drejtës është themeli i Shqipërisë evropiane

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›