E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Lamtumirë, ambasador!

PROF. DR. SYLË UKSHINISYLË UKSHINI

Kishte kohë që nuk e kisha takuar ambasadorin Bashkim Zeneli. Lajmin për ndarjen e tij nga jeta, më 30 tetor 2026, në moshën 78 vjeçare, e mësova nga një njoftim në rrjetet sociale të së bijës, Valbonës, për arritjet e së cilës ai fliste gjithmonë me krenarinë e një babai. Lajmi më riktheu në kujtesë takimet dhe bisedat tona gjatë një periudhe vendimtare për Kosovën. Shqipëria humbi një diplomat të shquar, ndërsa unë një mik dhe bashkëbisedues të çmuar.

Bashkim Zeneli i përkiste brezit të diplomatëve që, pas Luftës së Ftohtë, punuan për ripozicionimin ndërkombëtar të Shqipërisë. Si ambasador në Gjermani, nga fundi i vitit 1997, ai kontribuoi në marrëdhëniet shqiptaro-gjermane dhe në sensibilizimin e institucioneve gjermane për Kosovën.

TAKIMI I PARË ME AMBASADORIN: GELSENKIRCHEN

Njohja ime e parë me ambasador Bashkim Zenelin lidhet pikërisht me Kosovën dhe diasporën shqiptare në Gjermani. Ishte fillimi i vitit 1998, kur ai mori pjesë në një takim me bashkatdhetarët në qytetin Gelsenkirchen, të organizuar nga Qendra Kulturore Shqiptare. E ndoqa atë takim në cilësinë e gazetarit dhe më pas e pasqyrova në revistën “Fjala jonë”, që botohej në Prishtinë, me titullin domethënës: “Shqipërinë duhet ta ndërtojnë vetë shqiptarët”.

Më kujtohet komunikimi i tij i drejtpërdrejtë me diasporën. Në një kohë kur Kosova nuk kishte shtet e përfaqësi diplomatike, ambasadori i Shqipërisë shihej nga shumë bashkatdhetarë si adresë edhe për shqetësimet e tyre politike.

Në atë takim, Zeneli shprehu një mendim që më ka mbetur në kujtesë dhe që e pata shënuar në reportazhin tim të kohës: “Evropa dhe bota ndihmojnë, por ne nuk duhet t’i mbushim mendjen vetes se Evropa dhe bota, posa të zgjohen nga gjumi në mëngjes, do të thonë: ‘Si m’u gdhi Shqipëria” (Fjala jonë, f. 22). Në këto fjalë shfaqej bindja e tij se mbështetja ndërkombëtare ishte e domosdoshme, por nuk mund ta zëvendësonte përgjegjësinë e vetë shqiptarëve për të ardhmen e tyre. Ai nuk krijonte iluzione dhe nuk jepte premtime pa mbështetje reale; dinte të dallonte aspiratën politike nga ajo që mund të arrihej diplomatikisht.

Që nga ai takim ruajtëm kontakte të vazhdueshme dhe patëm biseda të shumta për zhvillimet politike në Kosovë, për qëndrimin e Gjermanisë dhe për mundësitë e angazhimit diplomatik shqiptar në mbështetje të çështjes së Kosovës.

DIPLOMACIA SHQIPTARE PËRBALLË LUFTËS SË KOSOVËS

Një ndër kujtimet e mia më të veçanta mbetet takimi në Mynih, në fund të shkurtit 1998, ku ambasadori Zeneli mori pjesë së bashku me ministrin e Jashtëm Paskal Milo. Të pranishëm ishin Fehmi Lladrovci, Rexhë Ibërdemaj, Ramiz Lladrovci dhe unë. Siç dëshmon Milo në librin Ditari i një ministri të Jashtëm: Konflikti i Kosovës 1997–2001 (Tiranë: Botimet Toena, 2009, 33–34), diskutimet u përqendruan në përshkallëzimin e situatës në Kosovë, kërkesat për mbështetje politike dhe perspektivën e rezistencës së armatosur. Përfaqësuesit e LDK-së nuk morën pjesë, ndërsa Zeneli u përpoq të lehtësonte komunikimin ndërmjet palëve. Fehmi Lladrovci paralajmëroi për përshkallëzimin e afërt të dhunës. Menjëherë pas takimit, delegacioni shqiptar u informua për masakrën në Drenicë dhe kërkoi masa urgjente nga autoritetet gjermane.

Përpjekjet e tij për bashkërendim vazhduan edhe më pas. Në kujtimet e veta, Zeneli përmend idenë e një grupi kontakti shqiptar për komunikim me institucionet gjermane, si dhe vizitat e Pandeli Majkos dhe Rexhep Meidanit në Bon. Ai mbante kontakte me Ibrahim Rugovën, Hashim Thaçin dhe përfaqësues të tjerë; përshkruan edhe takimin në Bon me Thaçin, atëherë kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës. Kjo hapje ndaj aktorëve me orientime të ndryshme ishte një tipar i diplomacisë së tij.

Në këto takime më bëri përshtypje aftësia e ambasadorit për të dëgjuar dhe për të ruajtur komunikimin me aktorë të orientimeve të ndryshme politike. Ai e njihte mirë skenën politike të Kosovës dhe mbante kontakte si me Ibrahim Rugovën, ashtu edhe me Hashim Thaçin dhe personalitete të tjera. Në librin e tij, Zeneli përshkruan një takim në Bon me Hashim Thaçin, në cilësinë e kryeministrit të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, gjatë të cilit u diskutuan zhvillimet politike dhe perspektivat e vendit. Kjo gatishmëri për dialog, edhe përtej ndarjeve ndërmjet rezistencës paqësore dhe asaj të armatosur, ishte një tipar i rëndësishëm i angazhimit të tij diplomatik. Për Bashkim Zenelin, çështja e Kosovës në fund të viteve 1990-ta nuk ishte thjesht një temë e politikës së jashtme shqiptare. Ajo ishte një përgjegjësi kombëtare, por edhe një sfidë diplomatike që kërkonte njohje të kujdesshme të konjukturës ndërkombëtare dhe të mekanizmave të vendimmarrjes në Berlin, Bon dhe në kryeqytetet e tjera perëndimore.

GJERMANIA, KOSOVA DHE DËSHMITË E AMBASADORIT ZENELI

Ai e ndiqte nga afër politikën gjermane dhe kontaktet me kancelarin Helmut Kohl, i cili, sipas kujtimeve të Zenelit, shprehte shqetësim për Kosovën dhe kërkonte zgjidhje politike, pa mbështetur atëherë pavarësinë. Ambasadori i njohur gjerman, Wolfgang Ischinger, nga ana tjetër, vlerësonte se krahas forcave politike duhej marrë në konsideratë edhe UÇK-ja. Këto qëndrime pasqyrojnë zhvillimin gradual të debatit gjerman për përfaqësimin e shqiptarëve të Kosovës.

Në kuadër të diplomacisë publike, ambasadori Zeneli vlerësonte rolin e mediave dhe të gazetarëve gjermanë, veçanërisht të Viktor Meierit, njohës i shquar i zhvillimeve politike në Ballkan. Në kujtimet e tij ai përshkruan bisedat me Meierin për Kosovën, Shqipërinë dhe qëndrimet e diplomacisë gjermane. Këto kontakte tregojnë se veprimtaria e tij nuk kufizohej në marrëdhëniet me institucionet shtetërore, por përfshinte edhe dialogun me personalitete që ndikonin në debatet publike për ish-Jugosllavinë.

Libri i Bashkim Zenelit, “Për Gjermaninë: Histori diplomatike dhe kujtime”, është një burim me vlerë për marrëdhëniet shqiptarogjermane dhe diplomacinë ndaj Kosovës gjatë viteve 1998–1999. Dëshmitë për udhëheqësit gjermanë dhe përfaqësuesit e Kosovës ndriçojnë rezervat fillestare të Bonit ndaj pavarësisë dhe përfaqësimit të UÇKsë, si dhe ndryshimin e qëndrimit gjerman në prag të ndërhyrjes së NATO-s.

Sipas kujtimeve të tij, asokohe, ministri i Jashtëm Joschka Fischer kërkonte të kuptonte përfaqësimin politik të UÇK-së dhe parapëlqente shterimin e mundësive diplomatike para përdorimit të forcës; kancelari Gerhard Schröder ndiqte me shqetësim krizën. Kalimi nga përparësia e negociatave te pjesëmarrja gjermane në ndërhyrjen e NATO-s në mars 1999 ishte një kthesë historike, të cilën Zeneli e trajton edhe në kapitullin “Viti i ngjeshur 1999 dhe çlirimi i Kosovës”.

Kapitulli “Viti i ngjeshur 1999 dhe çlirimi i Kosovës” sjell në plan të parë kontaktet e Zenelit me qeverinë e re gjermane në Bon. Sipas rrëfimit të tij, ministri i Jashtëm Joschka Fischer shprehte rezerva ndaj përdorimit të menjëhershëm të forcës dhe këmbëngulte në shfrytëzimin e mundësive diplomatike. Në këtë sfond, kalimi nga përparësia e negociatave te pjesëmarrja e Gjermanisë në ndërhyrjen e NATO-s në mars 1999 përbën një kthesë me rëndësi në politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë. Dëshmitë e Zenelit kanë vlerë për historinë diplomatike të Shqipërisë dhe të Kosovës, sepse ndriçojnë rolin e Tiranës në ndërmjetësimin e kontakteve dhe përcjelljen e shqetësimeve të shqiptarëve të Kosovës te institucionet perëndimore.

Duke hulumtuar edhe vetë aktet diplomatike të Ministrisë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë (Auswärtiges Amt) për rolin e politikës së jashtme gjermane ndaj Kosovës gjatë viteve 1990–1999, e kuptoj edhe më shumë rëndësinë e këtyre dëshmive të ambasadorit shqiptar. Historia diplomatike nuk përbëhet vetëm nga vendimet zyrtare, deklaratat dhe dokumentet arkivore. Ajo ndërtohet edhe nga takimet, bisedat, kontaktet personale dhe përpjekjet që jo gjithmonë lënë gjurmë të plota në dokumentacionin institucional.

Ambasador Zenelin gjithmonë e dallonin maturia, gjakftohtësia dhe takti i komunikimit diplomatik. Ai ruante ekuilibrin ndërmjet solidaritetit kombëtar dhe realizmit diplomatik, pa iu dorëzuar deklaratave të mëdha apo premtimeve të pambulesë. Kjo cilësi del në pah edhe në vlerësimin e njërit prej miqve të tij të afërt, gazetari tiranas Dritan Hila, i cili, duke kujtuar Bashkim Zenelin, më tha:

“Është e vështirë të veçosh karakteristikat tek një mik. Për mua ishte burrë i fjalës në planin personal, ishte shtetar në marrëdhëniet me administratën dhe njeri që u përpoq të sheshonte mosmarrëveshjet me Greqinë.”

Ky vlerësim përmbledh tri dimensione të personalitetit të tij: besnikërinë në marrëdhëniet njerëzore, seriozitetin në ushtrimin e përgjegjësive shtetërore dhe përkushtimin ndaj diplomacisë si instrument i dialogut dhe i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.

Veprimtaria e Bashkim Zenelit nuk u kufizua vetëm në marrëdhëniet shqiptaro-gjermane dhe në angazhimin diplomatik për Kosovën. Ai shërbeu gjithashtu si ambasador i Shqipërisë në Greqi dhe, në cilësinë e ambasadorit jorezident, në Qipro. Krahas karrierës diplomatike, Zeneli ishte deputet i Kuvendit të Shqipërisë, gazetar, publicist dhe autor i një sërë shkrimesh e studimesh kushtuar politikës së jashtme dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Për kontributin e tij në jetën publike dhe në diplomacinë shqiptare, ai u nderua me titullin “Mjeshtër i Madh”.

Nga Boni në Athinë: një jetë në shërbim të diplomacisë

Angazhimi i Zenelit për Kosovën vazhdoi edhe si ambasador në Athinë. Në kujtimet e tij përshkruan një debat të Fondacionit Helenik për Politikën Evropiane dhe të Jashtme (ELIAMEP), me temën “Statusi i ardhshëm i Kosovës: integrimi euroatlantik apo një kthim në kohën e konflikteve”. Përfaqësuesit serbë mbronin autonominë e zgjeruar brenda Serbisë, ndërsa përfaqësuesit shqiptarë pavarësinë si zgjidhje të qëndrueshme. Zeneli kontribuoi në artikulimin e qëndrimit shqiptar edhe në një mjedis ku pavarësia haste rezerva politike.

PËRTEJ DIPLOMACISË: KUJTIMI PËR NJERIUN E FJALËS

Përtej funksioneve dhe titujve, Bashkim Zeneli do të mbetet në kujtesën time si një diplomat i matur, bashkëbisedues i çmuar, mik i respektuar dhe, mbi të gjitha, njeri i fjalës. Në vitet më të vështira për Kosovën, ai kontribuoi që zëri i shqiptarëve të dëgjohej në qarqet politike gjermane, në një kohë kur e ardhmja e vendit tonë ishte ende e pasigurt. Ai i përkiste atij brezi diplomatësh që e kuptonin se përfaqësimi i shtetit nuk ishte thjesht një detyrë zyrtare, por një përgjegjësi e lartë kombëtare. Kujtimet dhe dëshmitë që la pas përbëjnë një trashëgimi të çmuar për historinë diplomatike shqiptare.

Vendet e vogla, si Shqipëria dhe Kosova, e kanë veçanërisht të vështirë ta mbushin boshllëkun që lënë pas largimet e diplomatëve të tillë. Përvoja, autoriteti, besueshmëria dhe lidhjet njerëzore e institucionale, të ndërtuara me vite të tëra përkushtimi, nuk mund të zëvendësohen lehtë. Bashkim Zeneli përfaqësonte një kulturë diplomatike në të cilën interesi i shtetit dhe i kombit qëndronte mbi interesat e ngushta partiake dhe mbi përkatësitë politike të çastit. Ai e dinte se qeveritë dhe partitë ndryshojnë, ndërsa interesat afatgjata të shtetit kërkojnë vazhdimësi, përgjegjësi dhe dinjitet. Pikërisht ky është kuptimi i vërtetë i arsyes shtetërore (raison d’État): aftësia për ta vendosur interesin e vendit mbi interesin e partisë, përgjegjësinë institucionale mbi besnikërinë politike dhe të ardhmen e kombit mbi përfitimet e përkohshme. Ky është edhe modeli i diplomacisë për të cilin Shqipëria dhe Kosova kanë sot aq shumë nevojë.

Për mua, Bashkim Zeneli nuk ishte vetëm ambasadori që përfaqësonte Shqipërinë në Gjermani, por edhe një bashkëbisedues me të cilin mund të flisje hapur për Kosovën, për politikën ndërkombëtare dhe për sfidat që na prisnin. Do ta kujtoj gjithmonë me respekt dhe mirënjohje, nga takimi ynë i parë në Gelsenkirchen deri te bisedat dhe takimet e mëvonshme në Gjermani, në ato vite kur fati i Kosovës mbetej i pasigurt dhe kur çdo përpjekje diplomatike kishte peshën e vet. Në kujtesën time do të mbetet qetësia me të cilën fliste, maturia me të cilën gjykonte dhe serioziteti me të cilin e trajtonte çdo çështje që lidhej me Shqipërinë dhe Kosovën.

Largimi i tij më sjell jo vetëm trishtimin për humbjen e një miku, por edhe ndjesinë se bashkë me të po largohet një pjesë e një brezi diplomatësh që e kishin përjetuar shërbimin ndaj shtetit si mision dhe jo si privilegj. Nuk mund ta fsheh se, gjatë dekadës së fundit, shpesh kam pasur përshtypjen se përvoja, potenciali intelektual dhe kapitali diplomatik i Bashkim Zenelit nuk u vlerësuan dhe nuk u shfrytëzuan sa duhet nga shteti shqiptar. Një diplomat me një përvojë të tillë, me njohje të thellë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe me kontakte të ndërtuara ndër vite në qarqet politike evropiane, mund të kishte dhënë ende shumë për diplomacinë shqiptare. Këtë e them edhe me një ndjenjë keqardhjeje, sepse vendet tona nuk e kanë luksin të mos e shfrytëzojnë dijen dhe përvojën e njerëzve që i kanë shërbyer shtetit me përkushtim dhe dinjitet. Njerëz të tillë nuk lënë pas vetëm kujtime, libra dhe dokumente, por edhe një standard profesional e njerëzor, me të cilin duhet të matet diplomacia e brezave që vijnë.

Lamtumirë, ambasador Bashkim Zeneli! Faleminderit për miqësinë, për bisedat dhe për shembullin që le pas!

/Gazeta Panorama

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›