Lapaj: Protesta është e qytetarëve, ne thjesht i mbështesim

Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, është shprehur se protesta e zhvilluar në Tiranë u përket qytetarëve dhe se subjektet politike kanë luajtur rolin e tyre duke e mbështetur atë.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, Lapaj tha se ka pranuar që drejtimi i protestës t’u takojë qytetarëve të paangazhuar në politikë, duke theksuar se nëse protesta nuk fiton, humbës do të jenë të gjithë.
“Protesta është e qytetarëve. Ne, si subjekte politike, kemi bërë gjithçka sa kemi mundur. Nuk e kemi fshehur kurrë këtë. E kemi mbështetur duke bërë thirrje për pjesëmarrje. Por kemi pranuar edhe avangardën ose lidershipin e grupit të qytetarëve që nuk janë të angazhuar në fushën e politikës. Dhe për mua kjo është gjëja e duhur. Mendoj se kjo duhet mbështetur dhe duhet të vazhdojë në këtë mënyrë. Po nuk fitoi protesta, jemi të gjithë të humbur. Secili në atë shesh është i lirë të thotë mendimin e vet”, tha Lapaj në Vizion Plus.