Refuzimi i partive politike nga protesta? Abilekaj: Dalja e PD në protestë të dhunshme është çorientim politik

Refuzimi i PD-së nga ana e protestuesve ishte një tjetër pikë diskutimi mbrëmjen e kësaj të marte në studion e “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus të Ylli Rakipit.
Për analistin Enton Abilekaj, dalja e PD-së në një protestë të dhunshme është çorientim politik. Sipas tij, PD-ja duhet të prodhojë ide dhe të kërkojë vota përmes programit dhe jo dhunës.
Pjesë nga biseda:
Rakipi: Protestuesit refuzojnë njëlloj si PS-në, ashtu edhe PD-në. Protestuesit kërkojnë shembjen e establishmentit politik. Rama nuk pranon, ai mendon se është gjithnjë i ri, por edhe Doktori nuk pranon dhe ia faturon këtë Arlind Qorit, sikur ai e organizon këtë.
Reklamë
Bala: Pjesën e dhunshme.
Rakipi: Cila është e vërteta? Pse refuzohet PD-ja në protestë?
Abilekaj: Nuk e dimë sa përqind e protestës refuzon PD-në, por në vetvete PD-ja është e paqartë. Tregon një pasiguri elektorale. PD-ja, para se të fillonin Flamingot, bënte protestat e veta “Kilometri i Fundit”. Pasi mbaronte fjalimin Berisha, fillonin molotovët dhe fishekzjarrët, spektakli mbaronte me një përleshje të vogël. Rama nuk pësonte asgjë dhe të gjithë ishin të kënaqur, deri sa filluan Flamingot, që ishin kërcënim i madh për Ramën. Filloi si një protestë kundër establishmentit. Në ditët e para të Flamingove, Berisha nuk i mbështeti, pastaj i mbështeti. Ajo protestë ishte sfiduese për të dy. Megjithatë, tentativa e PD-së për t’u afruar ishte e dëshpëruar, por më normale se kjo e studentëve. Pse? Sepse kjo e studentëve ishte e dhunshme.
Bala: Ishte apo e bën?
Abilekaj: Nuk ka rëndësi. Ata thanë se me protestë paqësore nuk arritëm, do ta bëjmë të dhunshme. Një parti politike nuk e bën dot. Politika është ndërmjetësuese. PD-ja rolin e ndërmjetësuesit e kishte përfunduar. Qeveria nuk pësoi asgjë, populli nuk u ngrit. Kur ka një përpjekje direkte qeveri-qytetarë dhe ata thonë se nuk duan ndërmjetësues, PD-ja kërkon të hyjë në një protestë të dhunshme. Çfarë do të thotë kjo? Që PD-ja është shkrirë, ka marrë malet. Çfarë kuptimi ka? Do të thoni, pse janë Lapaj, Qori, Shehaj aty? Këta nuk janë si parti atje, janë si persona. Janë bashkuar.
Bala: Është strategji, jo se nuk janë.
Abilekaj: Por protesta i ka pranuar. Edhe anëtarët e PD-së shkojnë.
Bala: Por këta kanë tagrin e vijës, të prapavijës, se ku shkon protesta.
Abilekaj: Anëtarët e PD-së mund të shkojnë aty, ashtu siç kanë qenë edhe socialistë. Ai studenti që u përplas me gjashtë policë ishte socialist. Aty nuk ka ndarje. Si përfaqësi partiake, aty nuk pranohet askush. Dalja aty është çorientim politik.