E Diel, 1 Nëntor 2026

Laura Saro: AIDA është partner strategjik për zhvillimin e qëndrueshëm

Shqipëria po prezantohet si një destinacion i gatshëm për investime konkrete në sektorë kyç të ekonomisë.

Drejtoresha e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), Laura Saro, gjatë edicionit të dytë të “MatchMaker Albania 2026”, deklaroi se vendi nuk po vepron më me premtime, por me projekte të prekshme.

“Nuk po flasim për ide abstrakte, por për rezultate konkrete dhe projekte të gatshme për t’u realizuar,” u shpreh ajo, duke e përshkruar Shqipërinë si një “mozaik të gjallë që ndërton ura dhe mbjell fara të reja për zhvillimin ekonomik dhe social.”

Saro theksoi se fokusi i këtij edicioni ishte tek katër fusha kryesore: urbanizimi dhe destinacionet mikpritëse, energjia e ripërtëritshme, bujqësia me teknologji të lartë dhe digjitalizimi.

“Shqipëria po shndërrohet në një fabrikë të gjelbër me projekte publike dhe private të gatshme për përshkallëzim,” tha ajo, duke shtuar se serat moderne po orientojnë prodhimet drejt eksportit, ndërsa energjia rinore po takohet me energjinë digjitale globale, e mbështetur nga politika inovative.

Drejtoresha e AIDA-s nënvizoi se platformat, institucionet dhe partnerët financiarë janë të angazhuar dhe projektet janë gati për t’u realizuar.

“Ky është momenti për të vepruar. Tek AIDA nuk promovojmë vetëm mundësi, por i strukturojmë ato dhe veprojmë si partner strategjik për investitorët,” tha ajo, duke vënë theksin te besueshmëria dhe transparenca si ura bashkëpunimi për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›