Rutte publikon raportin vjetor, shkruan se aleatët europianë dhe Kanadaja shtuan shpenzimet me 20%

Aleatët europianë të NATO-s dhe Kanadaja rritën me 20 për qind shpenzimet për mbrojtjen vitin e shkuar në krahasim me 2024.
Në raportin e tij vjetor, sekretari i aleancës më të madhe ushtarake në botë, Mark Rutte, u bëri thirrje vendeve anëtare që të mbanin këtë ritëm shpenzimesh.
“Për një kohë të gjatë, aleatët europianë dhe Kanadaja ishin tejet të varur nga fuqia ushtarake e SHBA-së. Nuk merrnim përsipër mjaftueshëm përgjegjësi për sigurinë tonë. Por ka pasur një ndryshim të vërtetë në mënyrën e të menduarit, një njohje kolektive të mjedisit tonë të ndryshuar të sigurisë. Dhe si europian, jam krenar për atë që po bëjmë.”
Në raportin e tij vjetor, Rutte kujtoi se vitin e shkuar të gjithë aleatët kishin raportuar shifra të shpenzimeve që ishin në nivelin ose tejkalonin objektivin prej 2 për qind të vendosur në vitin 2014, dhe shumë prej anëtarëve po shtonin ndjeshëm shpenzimet.
Në samitin e udhëheqësve të NATO-s vitin e shkuar, u ra dakord që vendet anëtare të shpenzonin 3.5 për qind të prodhimit të tyre të brendshëm bruto për mbrojtjen dhe 1.5 për qind për investime që kanë lidhje me mbrojtjen, si siguria kibernetike, mbrojtja e naftës dhe gazsjellësve, si dhe përshtatja e rrugëve dhe urave për automjete të rënda ushtarake.
Tre vende anëtare, Polonia, Lituania dhe Letonia, tejkaluan objektivin prej 3.5 për qind vitin e shkuar. Disa vende si Spanja, Kanadaja dhe Belgjika qëndruan në dy për qind dhe në total, të 32 anëtarët shpenzuan 2.77 për qind të PBB-së në vitin 2025.
Presidenti amerikan Donald Trump, vendi i të cilit përfaqësoi rreth 60 për qind të shpenzimeve të aleancës vitin e shkuar, u ka kërkuar vazhdimisht partnerëve të NATO-s që të rrisin shpenzimet për mbrojtjen, ndërsa administrata e tij këmbëngul se aleatët europianë duhet të marrin përgjegjësi parësore për mbrojtjen konvencionale të kontinentit.
Në një postim të publikuar të enjten në rrjetin e tij social Truth Social, Trump u shpreh se vendet e NATO-s nuk kishin bërë asgjë për të ndihmuar në luftën ndaj Iranit. “SHBA nuk ka nevojë për asgjë nga NATO, por mos harroni kurrë këtë moment kaq të rëndësishëm,” theksoi Trump.
/rtsh.al/