Leçe rinovon me Ramadanin deri në vitin 2027

TIRANË, 19 janar/ATSh/ Ekipi i Leçes (Lecce) ka vendosur të zgjasë marrëveshjen me mesfushorin e Kombëtares shqiptare, Ylber Ramadani. Sipas gazetarit sportiv italian Nicolo Schira, klubi ka aktivizuar opsionin për rinovimin e kontratës edhe për një sezon, duke e mbajtur futbollistin në Serinë A deri në verën e vitit 2027.
Në përfundim të sezonit të kaluar, qëndrimi i Ramadanit në Leçe ishte vënë në pikëpyetje për shkak të hapësirave të kufizuara në formacion. Performancat e tij në këtë edicion kanë ndryshuar vlerësimin e stafit teknik dhe drejtuesve të klubit. Mesfushori është kthyer në një pikë referimi për skuadrën, falë qëndrueshmërisë dhe rolit të tij në fazën mbrojtëse.
Ramadani iu bashkua Leçes në verën e vitit 2023 nga Aberdini (Aberdeen) dhe tashmë konsiderohet një element kyç i skuadrës.
Ndërsa, Kristjan Asllani po përballet me një situatë ndryshe te Torino. Mesfushori shqiptar, i huazuar nga Interi, nuk duket të jetë më pjesë e planeve të trajnerit Marco Baroni dhe ka humbur vendin në hierarkinë e skuadrës.
Përjashtimi nga lista e Torinos për ndeshjen ndaj Romës shënoi herën e parë që Asllani mbetet jashtë kampionatit. Mediet italiane shkruajnë se klubi milanez po punon për të gjetur një zgjidhje të re për 24-vjeçarin, ndërsa interesimi nga ekipe të tjera mbetet i pranishëm.
/e.i/r.e/a.f/