Levan, arrestohet autori i dyshuar i vrasjes së 20-vjeçarit në Ksamil

TIRANË, 18 gusht /ATSH/ Policia arrestoi në Levan të Fierit autorin e dyshuar të vrasjes së një 20-vjeçari mëngjesin e sotëm në Ksamil.
Policia njoftoi se autori i dyshuar u kap nga shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e forcës “Shqiponja” të DVP Fier, në pikën e përbashkët të kontrollit të ngritur për kapjen e tij, në aksin rrugor “Levan-Fier”.
Sipas policisë, autori i dyshuar, shtetasi S. V., 29 vjeç, ishte fshehur në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një 31-vjeçare, shtetase turke, ndërsa në automjet udhëtonte si pasagjer edhe një 38-vjeçar, shtetas turk.
Autori i dyshuar dhe dy shtetasit turq u shoqëruan në DVP Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Policia bëri me dije se shtetasi i huaj që humbi jetën ështe identifikuar si shtetas portugez, me inicialet L. V., i datëlindjes 27.09.2005.
Ndërkohë, hetimet janë përqendruar edhe në verifikimin e përfshirjes së dy shtetasve turq në automjetin e të cilëve u kap autori i dyshuar, ndërsa po e transportonin atë në drejtim të Tiranës.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes.
/m.q/j.p/r.e/