E Enjte, 5 Nëntor 2026

Liga e Kombeve, Silvinjo: Shqipëria synon vendin e parë në grup

TIRANË, 18 nëntor /ATSH/ Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Silvinjo deklaroi sot se, Shqipëria synon vendin e parë në grup në Ligën e Kombeve

Në konferencën për shtyp në prag të sfidës së mbrëmjes së nesërme në stadiumin “Air Albania” përballë Ukrainës, Silvinjo u shpreh se, kuqezinjtë futen në fushë vetëm për fitore, për të shpresuar te objektivi që është vendosur në fillim.

I pyetur nëse mund të luajë dy sulmues në qendër, duke aktivizuar që nga minuta e parë edhe Uzunin, Silvinjo tha se, nuk e preferon këtë mënyrë, por do  të vendosë më vonë për formacionin.

“Uzuni është një sulmues i dytë dhe i shfrytëzon hapësirat. Gjatë kualifikueseve, nuk kemi luajtur ndonjëherë me dy sulmues qendrorë. Do të shikojmë. Ekziston mundësia për të luajtur me dy përpara, por të shikojmë. Çdo gjë është e hapur në këtë ndeshje. Unë nuk preferoj që të luaj me dy sulmues qendrorë. Preferoj me një qendër dhe sulmues të dytë”, tha ai.

I pyetur për ndryshimet që priten në sfidën ndaj Ukrainës në krahasim me atë me Çekinë, Silvinjo tha se, ndeshja nga ndeshja ndryshojnë.

“Është një nga grupet më të balancuara. Në ndeshjen e fundit mund të ndodhë gjithçka. Të katërta ekipet kanë bërë Evropian të mirë. Ne do të tentojmë të fitojmë, sepse luajmë para publikut tonë. Kjo është ndeshja e fundit dhe kemi shansin për të qenë të parët. Do japim maksimumin për të fituar”, u shpreh ai.

Silvinjo shtoi se, mund të ndodhë çdo gjë.

“Është një kompeticion shumë i shpejtë. Në fushë futemi për objektivin. Do të luajmë për vendin e parë. Në një ndeshje mund të ndodhë gjithçka. Do të futemi për të dhënë më të mirën. Futbolli është i tillë. Nuk futesh asnjëherë në fushë me frikë. Objektivi jonë është vendi i parë”, deklaroi Silvinjo.

Ai deklaroi se e ka përgatitur ndeshjen ndaj Ukrainës, vetëm për fitore.

Silvinjo theksoi se, në grupin e Ligës së Kombeve, mund të ndodhë gjithçka.

“Kur mbrohesh mirë, është avantazh. Nuk mbrohemi vetëm me dy lojtarë, por të gjithë si ekip. Ismajli shënoi në ndeshjen e parë, por çdo ndeshje ka rëndësinë e saj’, tha ai.

“Mendoj se ky është grupi i vetëm ku çdo gjë mund të ndodhë. Të katërta ekipet, janë ekipe që kanë qenë në Evropian. Kam parë ndeshjet e tjera. Janë ekipe të forta. Me respektin për Ukrainën, e kemi përgatitur ndeshjen për fitore. Mund të ndodhë çdo gjë. Kemi një avantazh që luajmë në shtëpi. Jemi të përgatitur dhe kemi publikun. Futemi në fushë për të marrë 3 pikët”, theksoi Silvinjo.

Ndër të tjera, ai tha se gjithmonë ndeshja e dytë është me e vështirë sepse ka më pak ditë për përgatitje.

“Ndeshja e dytë gjithmonë është më e vështirë sepse janë pak ditë për tu përgatitur. Ndodh që të rikuperohen lojtarët. Por duhet të kuptojmë lojtarët dhe të vlerësojmë gjendjen e tyre. Nesër do të kemi përgatitjet e fundit”, u shpreh Silvinjo.

Në lidhje me Asanin, Silvinjo u shpreh se, do të shihet gjendja e sulmuesit dhe më pas do të merret vendimi.

“Asani ka bërë një rezonancë dhe duhet të bëjmë një zgjedhje për të, pas bisedimit me mjekët. Duhet të shikojmë si do të jetë gjendja e tij. Nëse përfundon stërvitjen, do të diskutohet me lojtarin dhe mjekun. Nëse lojtari thotë se është gati, do të flasim me të”, deklaroi Silvinjo.

Pragsfida me Ukrainën, Silvinjo dhe Smajli në konferencë për mediat, Foto; Agim Dobi 1 nga 3

/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›