E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ligji i bashkëpronësisë, Mazniku: Bashkitë, strukturë të posaçme për monitorimin e administrimit

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku tha se, ligji i ri “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa”, ka në fokus të veçantë parashtrimin e detyrave për bashkitë në raport me zbatimin e këtij ligji.

Gjatë takimit me kryetarët e bashkive, Mazniku vuri në dukje se, ligji ristrukturon në tri kolona kryesore të gjithë konceptimin e bashkëpronësisë në Shqipëri: Akti i bashkëpronësisë, ku ASHK lëshon certifikatën e pronësisë të ideuar për pjesën e pronës që i takon në tërësinë e pronës së përbashkët; së dyti, është libri i pronësisë, ku parashtrohet të dhëna për vitin e ndërtimit të objektit, llojin e ndërtesës, elementë të bashkëpronësisë, pra një regjistër publik që i vihen në dispozicion gjithkujt, që do ta blejë atë pronë për ta informuar mbi çdo detaj; së treti, strukturohen kategoritë e mirëmbajtjes dhe higjienës.

Sipas tij, komponent i rëndësishëm është edhe ridimensionimi i mënyrës së ndërveprimit midis asamblesë, kryesisë dhe administratorit.

“Ligji parashikon që administratori të pajiset me një numër NIPT-i, që i jep mundësi për kryerjen e shërbimeve me faturë dhe gjithashtu ai mund të hapë edhe një llogari bankare për mbledhjen e të ardhurave nga tarifimi i administrimit. Një element i rëndësishëm është edhe ndarja e fondit rezervë, pas shpenzimeve për shërbimet e kryera”, vuri në dukje ai.

Duke u ndalur në rolin e bashkive në këtë proces, Mazniku theksoi se, “bashkitë mbajnë librin e bashkëpronësisë, përcaktojnë tarifën e referencës; inspektojnë normat detyruese të shërbimeve dhe krijojnë një strukturë të posaçme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”.

“Bashkitë do të krijojnë strukturë të posaçme për monitorimin e administrimit”, tha Mazniku, teksa ftoi bashkitë të nisin që tani punën për këtë proces.

/e.xh//r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›