E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji i ri i barnave, harmonizuar me standardet e BE-së në proces hartimi

TIRANË, 17 qershor /ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale po punon për hartimin e një ligji të ri për produktet për përdorim mjekësor, i cili do të harmonizojë plotësisht sistemin farmaceutik shqiptar me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Deklarata u bë sot gjatë mbledhjes së nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik, ku u zhvillua një seancë dëgjimore me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore mbi auditimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) me temë “Efektiviteti dhe siguria e barnave që qarkullojnë në Shqipëri”.

Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, u ndal te gjetjet e raportit të KLSH-së për periudhën 2020-2023, duke theksuar se auditimi ka evidentuar një sërë problematikash serioze në sistemin e kontrollit farmaceutik.

“Raporti evidenton se kuadri ligjor shqiptar nuk është ende plotësisht i përafruar me direktivat e Bashkimit Evropian, ndërsa mungesa e një sistemi të plotë gjurmimi të barnave nga prodhuesi deri te pacienti mbetet një element shqetësues”, tha Xhaferri.

Drejtoresha e Programimit, Standardizimit dhe Harmonizimit të Kuadrit Rregullator në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Andoneta Njehrrena, bëri të ditur se institucioni ka analizuar të gjitha rekomandimet e dhëna nga KLSH-ja dhe ka reflektuar një pjesë të tyre në kuadrin e ri ligjor.

“Ministria ka përqendruar punën në hartimin e një kuadri rregullator të përputhur me direktivat evropiane, duke përgatitur një draft të ri të ligjit për produktet për përdorim mjekësor, në përputhje me Direktivën 2001/83 të Bashkimit Evropian. Projektligji synon të harmonizojë sistemin farmaceutik shqiptar me standardet evropiane dhe do të sjellë përfitime të rëndësishme për pacientët, institucionet shëndetësore, profesionistët e shëndetit dhe kompanitë që operojnë në tregun farmaceutik”, tha ajo.

“Projektligji do të garantojë që produktet mjekësore që qarkullojnë në vend t’i nënshtrohen analizave më të forta të sigurisë, cilësisë dhe efektivitetit, si dhe do të lehtësojë aksesin e hershëm të pacientëve në produkte mjekësore inovative”, vijoi Njehrrena.

Rrena shtoi se drafti ndodhet aktualisht në fazën e konsultimit publik dhe do të marrë mendimet e të gjithë aktorëve të interesuar.

Nga ana e tij, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, Erjon Spahiu, informoi deputetët mbi masat e marra pas auditimit të KLSH-së.

Spahiu bëri të ditur se nga 35 rekomandimet e lëna nga KLSH, 16 janë zbatuar plotësisht, që përbëjnë 45.7% të totalit. Tre rekomandime janë zbatuar pjesërisht, pesë janë në proces zbatimi, ndërsa 11 mbeten ende të pazbatuara.

Spahiu sqaroi se një pjesë e masave administrative të adresuara ndaj Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore lidhen me riparimin dhe mirëmbajtjen e aparaturave, si dhe sigurimin e reagentëve të nevojshëm për funksionimin e sistemit.

/e.i/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›