E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lihen në burg të arrestuarit për vrasjen e gjyqtarit, Elvis dhe Gjon Shkambi kërkojnë falje: Ishim të tronditur!

Dhoma Penale e Gjykatës së Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për Elvis Shkambin, Gjon Shkambin dhe Banush Koxhajn.

Seanca nisi në orën 08:15 minuta dhe u zhvilluar nën masa të forta sigurie, nën drejtimin e gjyqtares Marinela Osmani, pa praninë e medies.

Që në nisje të seancës, ku u njohën me pretencën e prokurorisë, Elvis dhe Gjon Shkambi kanë kërkuar falje publike ndaj familjes së gjyqtarit Kalaja, duke deklaruar se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një tronditjeje të lartë psikike për shkak të kalvarit të gjatë të gjyqeve që lidhen me një çështje pronësie.

Të pandehurit kanë shprehur gjithashtu pakënaqësi ndaj sistemit gjyqësor, duke pretenduar se gjykatat nuk e kanë zgjidhur siç duhet çështjen në fjalë.

“Shtetasi Elvis Shkambi foli dhe e sqaroi pozicionin e tij në lidhje me krimin e kryer, me kalvarin në gjykatat civile në Shkodër dhe në Apel, ku [pretendoi] që drejtësia ka dështuar në këtë proces. Gjithashtu shtetasi Elvis Shkambi foli me elokuencë fantastike për sa i përket momentit të ndodhjes së krimit. Pra, në momentin që është dhënë vendimi ai është tronditur thellë dhe ka shtënë drejt gjyqtarit Astrit Kalaja. Arma nuk ka qenë me leje, por Elvis Shkambi pretendon që ka punuar në disa institucione të sigurisë, Shkambi nuk ka marrë pjesë fare në momentet e ndodhjes së ngjarjes. Shtetasi Gjon Shkambi, sipas deklarimit të tij, nuk ka pasur fare dijeni që nipi i tij mund të kryente një veprim të tillë. Ai nuk ka pasur mundësi që ta ndalonte nipin e tij në momentin e shkrepjes së armës, sepse askush nuk i del armës përpara në ato momente, se nipi i tij ishte shumë i tronditur. Shtetasi Gjon Shkambi kur është dhënë vendimi ka dalë nga salla,” bëri të ditur avokati i autorit, Kujtim Ibra.

Masa e sigurisë arrest me burg, e cila u kërkua nga prokuroria, u konfirmua nga togat e zeza edhe për rojen e sigurisë së Gjykatës së Apelit në Tiranë, Banush Koxhaj.

Koxhaj, i cili akuzohet për shpërdorim detyre, ka deklaruar se ka qenë i sëmurë, pasi vuan nga diabeti.

Para se autori, Elvis Shkambi dhe xhaxhai i tij të kalonin në detektorin metalik, ai ka deklaruar se ka njoftuar kancelarin se nuk ndihej mirë dhe pas një ore është larguar.

Ndaj Elvis Shkambit, autori i vrasjes së gjyqtarit dhe plagosjes së Rakip dhe Ervis Kurtajt, babë e bir, rëndojnë tri akuza: vrasje e funksionarëve publikë, vrasje në rrethana të tjera cilësuese kundër palëve të përfshira kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë, si dhe mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›