E Martë, 3 Nëntor 2026

Linda Rama: Shqiptarët i besuan Edit mandat të fortë, u lidh filli mes prindërve dhe ëndrrës për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa

TIRANË, 17 maj/ATSH-Maela Marini/ Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, ishte sot e ftuar në panelin e forumit ndërkombëtar FII (Future Investment Initiative), platforma globale që mbledh në Tiranë liderë politikë, drejtues të korporatave më të mëdha në botë për diskutimin e inovacionit, investimeve dhe të ardhmes së ekonomisë botërore.

Në fjalën e saj, ajo bëri një pasqyrim të situatës që ka kaluar Shqipëria nga viti 1991 e deri më sot, duke evidentuar hapat që janë hedhur drejt zhvillimit.

Për Linda Ramën, realiteti sot është se shumë të huaj po e gjejnë Shqipërinë gjithmonë e më shumë tërheqëse për të jetuar e punuar.

“Viti 1991 nuk është kaq larg, është 3 dekada e gjysmë. Nëse kemi qenë në gjendje të ecim kaq shpejt në këtë rrugë zhvillimi, dhe nuk po flas vetëm për shqiptarët në Shqipëri, po flas për shqiptarët kudo që janë. Ambasadorët më të mirë të Shqipërisë janë shqiptarët që ia kanë dalë me sukses në çdo fushë dhe janë kthyer. Natyrisht që jetojmë në një botë të lirë, ne jemi të lumtur që ata kthehen, por ata kanë bërë maksimumin kudo gjenden. Ata duhet të shkojnë kudo ata mendojnë se është më e mirë për ta, por ne e dimë që një pjesë e jona është me ta kudo që ata janë. Patjetër që duam që edhe të huajt të vijnë këtu. Në fakt u ndjeva shumë e lumtur kur dëgjova një që tha, natyrisht me një lloj doze humori, që edhe francezët duan të vijnë të punojnë. Por ky është realiteti, italianët e shumë të tjerë nga vende të tjera po e gjejnë Shqipërinë gjithmonë e më shumë tërheqëse”, tha ajo.

E pyetur mbi fitoren e mandatit të katërt nga kryeministri Rama, Linda tha se është shumë entuziaste, e prekur dhe e mallëngjyer thellësisht.

“E ndjeva sikur po lidhej filli midis prindërve tanë dhe asaj çfarë ëndërruam në vitet ’91-’92 për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Qeveria e parë demokratike mori një mbështetje të jashtëzakonshme nga qytetarët. Duket sikur ka një fill që lidhet pas kaq shumë vitesh dhe shqiptarët vazhdojnë të ëndërrojnë Shqipërinë në Europë”, tha ajo.

Linda Rama u shpreh se “shqiptarët i besuan Edit një mandat që është shumë, shumë i fortë”.

“Mendoj se është një përgjegjësi e jashtëzakonshme. Ndiej peshën mbi shpatulla për të mos zhgënjyer askënd nga ata që kanë dhënë këtë mbështetje dhe për të lejuar të rinjtë që të çelin një shteg krejt të ri. Është misioni ynë për ta përfunduar këtë proces si brez në mënyrë që fëmijët tanë të nisin një tjetër nivel angazhimi”, shtoi ajo.

Linda Rama komentoi po ashtu edhe deklaratën e presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili konfirmoi mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

“E dëgjova shumë e lumtur presidentin Macron që ai konfirmoi që biem dakord të zgjerojmë Bashkimin Europian e që ai është mbështetës i anëtarësimit tonë. Kjo është e drejtë, sepse Shqipëria duhet të jetë në Europë dhe ia kemi dalë të krijojmë këtë nivel besimi dhe ka qenë brezi ynë që e ka bërë këtë gjë”, shtoi ajo.

Linda tregoi po ashtu edhe sfidat që ka ndeshur gjatë rrugëtimit përkrah kryeministrit.

“Që të jesh krah Edit këto 12 vjet ka qenë një mundësi e shkëlqyer për të kontribuar nga ana ime në një moment historik dhe mjaft të rëndësishëm për vendin. Për sa i takon profilit, gjithë jeta ime ka qenë e lidhur me politikat publike dhe çështjet e zhvillimit dhe kam qenë shumë e ndjeshme ndaj grupeve vulnerabël. Kam qenë avokate e të drejtave të grave dhe të drejtave të njeriut. Në një moment të caktuar përfundova të isha dikush që ishte aktiviste për të drejtat e njeriut dhe politikat publike në të njëjtën çati me personin të cilit i ishte besuar drejtimi i politikave publike”, tregon ajo.

Linda Rama tregon se “kjo ishte sfidë për të dy”.

“Kuptova pastaj qysh në fillim sapo bëhesh bashkëshortja e dikujt që zgjidhet, rreziku është që menjëherë pas kësaj njerëzit të shohin vetëm si bashkëshorten e kryeministrit. Në fillim mendova që thjesht do t’i shtoja një dimension tjetër profilit tim personal, por e kuptova më pas që më duhej të ruaja identitetin tim profesional dhe personal. Si e bëra? Ishte shumë sfiduese, pasi së pari, ishte shumë e vështirë të tejkaloje skepticizmin e njerëzve. I thoja gjithkujt që unë do të vazhdoj të jem i njëjti person si më parë dhe do të punoj në të njëjtën fushë si më parë, por ishte shumë e vështirë për ta, ta besonin. Unë e drejtoj vetë makinën, nuk ka një dado për fëmijën tim, unë gatuaj vetë dhe në fakt për njerëzit ishte shumë e vështirë. Nuk e lidhnin dot këtë lloj narrative me bashkëshorten e dikujt kaq të fuqishëm”, shtoi ajo.

Përgjatë viteve, Linda beson se ka bërë atë çfarë synonte të bënte.

“Pashë që niveli i besimit është rritur. Kam pasur edhe unë një moment që kam ndjerë fuqizim vitin e kaluar kur të gjithë anëtarët e opozitës në parlament u mblodhën bashkë dhe i kërkuan institucioneve ndërkombëtare që ndihmojnë Shqipërinë për 30 vjet për të mos më pranuar në asnjë projekt të tyrin. Thashë se në fakt duhet të nxjerrin Edin nga detyra, pse mua. Pse të më lënë mua pa punë? Dhe ishte diçka shumë e mirë të shihje që ishte një kisha një profil që ishte, si të thuash, më me fuqi sesa i kryeministrit”, shtoi ajo.

Për Linda Ramën, profesionalizmi, pavarësia dhe të qenit i drejtpërdrejtë për të thënë gjithçka që mendon në mënyrë të thjeshtë dhe për më tepër të qenit me njerëz gjatë gjithë kohës e konkurron politikën.

“Këto lloj profilesh mendoj se janë profile mjaft të fuqishme, ndaj njerëzit janë kaq të fortë sepse në jetët e tyre normale janë profesionistë, janë të aftë të bëjnë gjëra, janë të drejtpërdrejtë. Votimi është një nga momentet sublime të të qenit të drejtpërdrejtë. Dhe janë të pavarur, ja pse janë vërtetë të fuqishëm dhe politikës i duhen gjatë gjithë kohës”, shtoi ajo.

Ndërsa bëri një pasqyrim të situatës ekonomiko-sociale në të cilën gjendej Shqipëria pas vitit 1991, Linda Rama nënvizoi se “në 35 vjet jemi ne, brezat e rinj të asaj kohe që ishin në gjendje të fitonim kohën e humbur”.

‘Mendoj se sapo brezi im do të përfundojë rrugëtimin drejt Bashkimit Europian do të duhet të kujdesemi që fëmijët, të rinjtë, të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë e tyre për të ecur më tej në një botë globale”, shtoi ajo.

E pyetur se si kontribuon fondacioni që ajo drejton në fuqizimin e sipërmarrësve të rinj, Linda Rama tha se “me të gjitha publikimet që kam nxjerrë, projektet, diskutimet që kam bërë, por edhe duke ruajtur atë lloj trysnie timen mbi Edin, përpiqem të sigurohem që gratë, të rinjtë, fëmijët të marrin sa më shumë vëmendje nga shoqëria dhe nga qeveria, e po kështu edhe nga politikëbërësit”.

Ndërsa evidentoi tri karakteristika të Shqipërisë, Linda Rama veçoi diversitetin, dinamizmin dhe devocionin që ofron vendi.

“Gjëja e parë, diversiteti në tre nivele. Diversiteti i natyrës, pasi këtu mund të gjesh Karaibet, Toskanën, Alpet e Zvicrës. Në këtë vend kaq të vogël mund të gjesh gjithë botën. Është një vend shumë i bukur. Pastaj larmia, diversiteti kulturor. Dua të përmend që në këtë territor ka më shumë se tre mijë kostume tradicionale dhe shumica prej tyre janë unike në botë. Po ashtu dhe tre besime fetare që bashkëjetojnë në harmoni dhe janë një trashëgimi e madhe për ne. Gjëja e dytë që do të them është dinamizmi. Jemi komb mjaft energjik dhe dinamik, edhe tronditjet s’na trondisin. Ndodhi në ’97, paksa në 2008, ndodhi me tërmetin, me pandeminë dhe vitin tjetër ne ishim sërish mjaft vitalë dhe vazhduam me rritjen. E treta është një tjetër ‘D’, devocion. Jemi mjaft të përkushtuar ndaj familjeve tona, jemi mjaft të devotshëm kundrejt vendit dhe krejt të devotshëm ndaj Europës dhe botës”, shtoi Linda Rama.

1 nga 8

/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›