Rama ndan fotoalbumin nga vizita e Macron në Tiranë

TIRANË, 17 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama priti sot në një takim presidentin e Republikës franceze, Emmanuel Macron.
Pas takimit mes tyre, kryeministri Edi Rama dhe presidenti francez Emmanuel Macron morën pjesë në shkëmbimin e marrëveshjeve, përkatësisht:
Marrëveshjet e bashkëpunimit në fushën e energjisë, midis zv.ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Ceno Klosi dhe drejtorit ekzekutiv të Agjencisë Franceze për Zhvillim, Remy Rioux;
Memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim në projektin për turizmin e qëndrueshëm në rajonin e Korçës, midis ministres së Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, dhe drejtorit ekzekutiv të Agjencisë Franceze për Zhvillim, Remy Rioux.
Më pas kryeministri Rama dhe presidenti Macron dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Kryeministri Rama vlerësoi se marrëdhënia e Shqipërisë me Francën ka hyrë në një fazë të re. Ai u shpreh se, “jemi thellësisht mirënjohës dhe sot e ndiejmë Francën shumë afër edhe në procesin e anëtarësimit në BE”.
Kryeministri nënvizoi po ashtu se “rajoni ka fituar një mbështetës shumë të qëndrueshëm të të gjitha proceseve transformuese në adresimin e momenteve të vështira që duhen ende zgjidhur dhe përfshirjen e gjithë rajonit në Europën e bashkuar”.
Rama vlerësoi faktin se në një kohë kaq të shkurtër presidenti i Francës riviziton Shqipërinë dhe qëndron për një tjetër vizitë dypalëshe.
Ndërsa presidenti Macron siguroi se Franca do të jetë në krah të Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Macron theksoi se mbyllja e negociatave me BE-në në 2027 është e arritshme, është reale, sipas tij, dhe jo vetëm perspektivë.
Franca, tha ai, do të jetë krah Shqipërisë për ta shoqëruar në këto reforma dhe për ta mbrojtur, në mënyrë që meritat e saj të njihen nga të gjithë dhe që agjenda të mbahet.
Ai i shprehu urimet Ramës për fitoren në zgjedhjet e 11 majit.
Më pas, kryeministri Edi Rama dhe presidenti i Francës Emmanuel Macron iu drejtuan me fjalë përshëndetëse Forumit Ndërkombëtar FII (Future Investment Initiative), platforma globale që mbledh liderë politikë, drejtues të korporatave më të mëdha në botë për diskutimin e inovacionit, investimeve dhe të ardhmes së ekonomisë botërore, i cili për herë të parë në Europë, mblidhet në Shqipëri.
Në fjalën e tij kryeministri Rama theksoi se Shqipëria është partner strategjik i Bashkimit Europian dhe SHBA-së, por ka po ashtu partneritete të ngushta edhe me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vendet e Gjirit.
Kryeministri iu referua edhe organizimit në Tiranë të Samitit VI të Komunitetit Politik Evropian, ndërsa u shpreh se kjo as nuk do të imagjinohej 10 apo 5 vite më parë.
Ndërsa presidenti Macron, deklaroi se Shqipëria është një vend i qëndrueshëm dhe i besueshëm në rajon dhe se përfaqëson një pikë kyçe për Ballkanin dhe Europën.
Macron inkurajoi investitorët nga e gjithë bota të investojnë në Shqipëri, duke i siguruar ata se ka një udhëheqje të fortë.
Ai shtoi se Shqipëria përfaqëson një pikë hyrëse strategjike për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë në Mesdhe dhe Europë. Në këtë kontekst, Macron u bëri thirrje investitorëve ndërkombëtarë të shohin nga Shqipëria dhe të investojnë në rajon.
1 nga 35/r.e/