E Martë, 3 Nëntor 2026

Lirimi i hapësirave publike, Dredha: Tendat deri në fund të sezonit, më pas do të çmontohen

TIRANË, 8 korrik/ATSH/ Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha zhvilloi sot një bashkëbisedim me pronarët e lokaleve në Lungomare, me të cilët është rënë dakord që të lirojnë hapësirat publike duke larguar vazot e luleve dhe fasadat që pengojnë lëvizjen e lirshme të qytetarëve.

Në një prononcim për mediet, Dredha tha se pronarët e lokaleve nuk janë në protestë, por se po bashkëbisedohet me ta që të gjehet zgjidhje derisa të mbarojë sezoni veror.

“Janë marrë disa masa sipas udhëzimeve që janë dhënë këto ditë jo vetëm në Lungomare, që të hiqen fasadat, pemët dhe vazot me lule dhe për t’iu rikthyer projektit siç ka qenë në zanafillën e vet. Vit pas viti edhe është abuzuar pak duke shkaktuar një dëm direkt tek komuniteti”, tha Dredha.

“Trotuaret dhe rrugët kryesore duhet që të jenë të liruara dhe njerëzit të kalojnë lirshëm, për tendat anësore në lokale, ne do t’i tolerojmë deri në fund të sezonit, deri në fund të muajit gusht. Nga 1 shtatori e në vazhdim kanë rënë dakord që t’i çmontojnë vetë”, tha Dredha.

Pronarët e bizneseve i kërkuan kryebashkiakut Dredha që çdo ndërhyrje të bëhet në mënyrë të organizuar dhe jashtë sezonit, në mënyrë që të mos cenohet aktiviteti i tyre.

Ndërkohë, si në Vlorë dhe në qytetet e tjera të vendit vijon aksioni i qeverisë për lirimin e hapësirave publike.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›