Të papunët, aftësi të reja përmes programit “Aftësi për Punësim”

TIRANË, 8 korrik/ATSH/ “Aftësi për punësim” është programi më i ri i trajnimit që synon t’u japë mundësi konkrete të gjithë personave të papunë për të fituar njohuritë dhe aftësitë bazë, digjitale dhe sociale, të nevojshme për t’u integruar me sukses në tregun e punës.
Ky program, i konceptuar për të mbështetur veçanërisht të rinjtë dhe grupet më të prekshme të shoqërisë, ka hyrë tashmë në fazën e zbatimit të tij të parë.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, gjatë muajve të fundit, 40 instruktorët e parë janë trajnuar për të zbatuar programin në nivel kombëtar, ndërsa 600 persona të papunë kanë përfituar nga trajnimet e para.
Pjesëmarrësit janë përzgjedhur nga kategori të ndryshme, përfshirë të rinj në kërkim të një fillimi të ri profesional dhe individë nga komunitete vulnerabël që kanë pasur më pak akses në arsim apo aftësim profesional.
Programi fokusohet në zhvillimin e aftësive bazë dhe atyre digjitale, duke i ardhur në ndihmë veçanërisht atyre që nuk kanë pasur mundësi të ndjekin arsimin formal.
Një nga elementët kyç të këtij programi është orientimi i qartë drejt profesioneve më të kërkuara në treg.
Trajnimi nuk mbyllet vetëm me përvetësimin e njohurive, por shoqërohet me mbështetje për hartimin e një plani personal profesional, duke ndihmuar kështu pjesëmarrësit të ndërtojnë një rrugëtim të ri dhe të qëndrueshëm drejt punësimit.
Programi pritet të zgjerohet më tej në muajt në vijim, me objektivin për të përfshirë sa më shumë persona në nevojë për integrim aktiv në jetën ekonomike dhe shoqërore të vendit. /j.p/
1 nga 3