Lirimi i hapësirave publike, Rama: Ecim për të sjellë Rilindjen Urbane 2.0

TIRANË, 14 shtator/ATSH/ Inspektorët e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) po vijojnë prishjen dhe çmontimin e strukturave të ndërtuara pa leje në hapësirat publike, pjesë e operacioneve për lirimin dhe kthimin e tyre tek qytetarët.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ndërhyrjet në terren, duke theksuar se këto veprime janë pjesë e një programi afatgjatë dhe jo një aksion i përkohshëm.
“Ecim për të sjellë Rilindjen Urbane 2.0”, u shpreh kryeministri Rama.
“Rilindja Urbane 2.0” është një program katërvjeçar i qeverisë që synon të vijojë transformimin e hapësirave publike në qytetet shqiptare, përmes lirimit të tyre nga ndërtimet pa leje, modernizimit të infrastrukturës dhe krijimit të ambienteve funksionale për qytetarët.
Në kuadër të këtij programi parashikohet zgjerimi i hapësirave të gjelbra, sistemimi i shesheve dhe trotuareve, rikonceptimi i zonave pedonale, duke i dhënë më shumë hapësirë komunitetit dhe zhvillimit të turizmit.
Programi pason fazën e parë të “Rilindjes Urbane”, e cila solli ndër vite transformime në qendrat kryesore urbane të vendit, duke synuar tashmë një nivel më të lartë ndërhyrjesh për standarde europiane të hapësirave publike. /j.p/