Lirohen hapësira publike në plazhin e Gjipesë, sekuestrohen 399 çadra e shezlongë

TIRANË, 8 korrik /ATSH/ Në kuadër të operacionit “Plazhi i Lirë” u lirua sot hapësira publike në plazhin e Gjipesë e cila ishte zënë me çadra dhe shezlongë të vendosura pa leje.
Policia njoftoi sot se “shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe me ndihmën e forcave policore të Kufirit, të FNSH-së, si dhe të Forcave Detare, ndërhynë nga deti, në gjirin e Gjipesë, për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme”.
“Nga kontrollet u konstatua se shtetasit A. Z., B. Sh., G. S. dhe M. Sh., kishin zënë në mënyrë të paligjshme, sipërfaqe publike, nga 300 deri në 500 m² secili, në të cilat kishin vendosur çadra dhe shezlongë, pa qenë të pajisur me leje nga autoritetet përkatëse dhe pa NIPT për ushtrimin e aktivitetit”, njoftoi Policia.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimin penal ndaj këtyre katër shtetasve, për veprat penale “Pushtimi i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Në cilësinë e provës materiale, Policia njoftoi se u sekuestruan gjithsej 131 çadra dhe 268 shezlongë, të cilët u transportuan me ndihmën e mjeteve lundruese të Forcës Detare, për shkak të terrenit të vështirë tokësor.
/m.q//r.e//a.f/