Borë në Gjirokastër, atmosferë e rrallë për vizitorët e shumtë

TIRANË, 27 mars /ATSH/ Gjirokastra ishte edhe më e bukur këtë fundmarsi ndërsa flokët e dëborës binin ngadalë mbi qytet, mbi sokakët, kalanë dhe peizazhet me majat e bardha të maleve përreth.
Vizitorë vendas dhe të huaj që u ndodhën në Gjirokastër këto ditë kur dielli ia la vendin dëborës, patën mundësinë të shijojnë qytetin në atmosferë krejt tjetër.
Kryetari i bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi ndau pamjet në rrjetet sociale, ku turistë të shumtë i gëzohen flokëve të bardhë ndërsa shëtisin në rrugicat e kalldrëmta dhe vendet historike të qytetit të gurtë.
Pamja e rrallë e qytetit të mbuluar nga bora ka mahnitur vizitorët, të cilët kanë shfrytëzuar rastin për të eksploruar monumentet kulturore në një atmosferë dimërore të pazakontë në prag të pranverës.
Muzeu i Luftës së Ftohtë, Muzeu i Armëve, Etnografik dhe Muzeu Kadare shërbejnë si qendra për tërheqjen e vizitorëve por edhe për njohjen e turistëve me vlerat e historisë, traditës, figurat e shquara gjirokastrite në vite.
Ndërsa një fluks në rritje vizitorësh po vërehet po ashtu edhe në fshatrat përreth dhe zonat rurale, ku janë çelur njësi të reja të akomodimit për turistët me kushte dhe standarde bashkëkohore.
Gastronomia lokale, e bazuar në produkte vendase dhe receta tradicionale, plotëson përvojën e vizitorëve, duke e bërë Gjirokastrën një destinacion të plotë turistik dhe kulturor.
/e.i/j.p/