Lamallari: Manovrat e rrezikshme në rrugë s’do të tolerohen nga policia

TIRANË, 27 mars /ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari u shpreh sot se parakalimet e gabuara dhe manovrat e rrezikshme të drejtuesve të mjeteve në rrugë, nuk do të tolerohen nga Policia e Shtetit.
Në videon e publikuar nga Lamallari në rrjetet sociale shfaqen të tilla manovra në akse të ndryshme rrugore. Ministri i Brendshëm bëri të ditur se drejtuesit e mjeteve që ndërmarrin veprime të rrezikshme nuk do të tolerohen dhe do të përballen me masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi.
“Nëse mendoni se mund t’i fshiheni efektivëve të rrugores, syrit të pagabueshëm të teknologjisë nuk mund t’i shpëtoni sidoqoftë”, tha Lamallari.
Ministri Lamallari nënvizoi se “çdo gabim mund të kushtojë shtrenjtë dhe sjellje të tilla të rrezikshme do të ndëshkohen”.
Policia e Shtetit përveç pranisë së patrullave në terren, vijon monitorimin e qarkullimit rrugor mbështetur në teknologjinë bashkëkohore, e cila mundëson identifikimin e çdo shkeljeje në kohë reale.
Edhe më herët, Policia ka apeluar drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, duke theksuar se çdo gabim në timon mund të ketë pasoja të rënda për jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
/e.i/j.p/