E Diel, 1 Nëntor 2026

Live/ Konkursi Ndërkombëtar për Pallatin e Kongreseve, artistët ndajnë kujtimet nga godina ikonike. Arkitekti Bakallbashi: 2200 yje në tavan, vepra më e rëndësishme

Pallati i Kongreseve, një prej godinave më ikonike të kryeqytetit shqiptar, është rikthyer në qendër të vëmendjes teksa po zhvillohet Konkursi Ndërkombëtar për Rikualifikimin e tij. Në këtë kuadër, kryeministri Edi Rama ka publikuar një video me mesazhe dhe kujtime nga figura të njohura të artit, kulturës dhe nga ata që kontribuuan në ndërtimin e kësaj vepre monumentale.

Dirigjenti i njohur Zhani Ciko e cilësoi Pallatin e Kongreseve si “Pallati i Prestigjit”, ndërsa këngëtarja Manjola Nallbani e përshkroi skenën e tij si madhështore, duke kujtuar emocionet e përjetuara gjatë performancave në këtë institucion të rëndësishëm kulturor.

Një nga dëshmitë më domethënëse erdhi nga arkitekti Spiro Bakallbashi, një prej autorëve të projektit të Pallatit të Kongreseve, i cili e konsideron atë veprën më të rëndësishme të jetës së tij profesionale.

“Vepra më e rëndësishme e jetës sime. Bashkë me arkitektët e tjerë, jam me fat dy herë: kam marrë pjesë në projektimin e Pallatit të Kongreseve si arkitekt”, u shpreh Bakallbashi.

Ai tregoi edhe një detaj interesant të konceptimit të sallës kryesore, duke shpjeguar se projektuesit dhe ndërtuesit u frymëzuan nga simbolika e yjeve.

“Projektuesit dhe ndërtuesit u frymëzuan nga yjet dhe ne i sollëm ato në sallë. Yjet janë bosh brenda, të realizuar me allçi, dhe sigurojnë mbarëvajtjen estetike dhe akustike të sallës. Janë 2200 yje në të gjithë sallën, një yll për çdo ulëse. Në atë kohë, yje kishte vetëm flamuri, por ne i demokratizuam. Kënga e Bob Dylan ishte tipike për atë periudhë. Po vinte një frymë e re”, tha ai.

Nga ana tjetër, inxhinieri elektrik Bujar Mata kujtoi fillimet e punimeve në këtë objekt, duke treguar sfidat e mëdha të ndërtimit.

“Kam filluar punë në Pallatin e Kongreseve më 15 prill 1984. Kur kam ardhur ishte vetëm në kuotën 4.35, pra në nivelin e bodrumit. E di sa kemi punuar këtu. Vendoseshin karriget, ndërsa ne punonim lart për instalimin e ndriçuesve”, rrëfeu ai.

Konkursi Ndërkombëtar për Rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve ka hyrë tashmë në fazën finale, ku pesë skuadra arkitektësh prezantojnë projekt-idetë e tyre përpara jurisë. Synimi i këtij procesi është transformimi i godinës historike në një hapësirë moderne, duke ruajtur identitetin dhe vlerat arkitekturore që e kanë shoqëruar prej dekadash.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›