Llatja: 120–170 qytetarë u shërbehet çdo javë në zyrat e “e-Shërbime”

TIRANË, 30 shtator /ATSH/ Qytetarët e Elbasanit marrin asistencë administrative dhe shërbim falas në zyrat me një ndalesë, të hapura tashmë pranë bashkisë së këtij qyteti.
Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja bëri me dije se ka një rritje të fluksit të qytetarëve që përfitojnë asistencë falas në zyrat e “e-Shërbime”.
“Zyrat e e-Shërbimeve po përjetojnë një rritje të vazhdueshme të kërkesës, me 120–170 qytetarë çdo javë që përfitojnë shërbime administrative të ndryshme”, tha Llatja, në një postim në rrjetet sociale.
Llatja siguroi se “bashkia Elbasan do të vijojë me zgjerimin dhe përmirësimin e këtyre shërbimeve për një administratë më të afërt dhe më efikase me qytetarët”.
Qytetarët që u drejtohen këtyre zyrave, mund të asistohen në marrjen e shërbimeve elektronike përmes portalit qeveritar “e-Albania” dhe në portalin “Shqipëriaqëduam.al”, si dhe mund të marrin informacion për më shumë se 950 shërbime publike.
Ambientet ofrojnë standarde bashkëkohore të pajisur me sistem elektronik të menaxhimit të radhës për të reduktuar kohën e pritjes si dhe me infrastrukturë të përshtatur për personat me aftësi të kufizuara (PAK).
/e.i/r.e/a.f/