Lufta e fshehtë diplomatike SHBA-BE për kreun e ri të SPAK/ Washingtoni ‘mposhti’ Brukselin. Po tani?

Zgjedhja e kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nuk ishte thjesht një proces formal institucional. Ajo u shndërrua në një arenë ku u përzunë interesat politike, institucionale dhe ato ndërkombëtare, duke nxjerrë në sipërfaqe se cili prej partnerëve strategjikë Shtetet e Bashkuara apo Bashkimi Europian kanë më shumë ndikim.
Një nga momentet kyçe në këtë proces ndodhi vetëm pak orë para votimit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, kur Ambasada e SHBA në Tiranë mes fotografive që zgjodhi të publikonte mbi vizitën e Zëvendësdrejtorit për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore, Lyn Debevoise dhe kreut në largim të SPAK, Altin Dumanit, ku mes të tjerash shprehte vlerësimin e Washingtonit për bashkëpunimin e ngushtë të Dumanit me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit në luftën kundër krimit, ishte edhe ajo e kandidatit dhe tashmë kreut të ri të SPAK, Klodian Braho. Një sinjal i hapur i mbështetjes amerikane për 43-vjeçarin nga Skrapari.

Në postim Ambasada nënvizonte se: “Dumani vendosi standardin për bashkëpunim të fortë mes agjencive amerikane të zbatimit të ligjit dhe SPAK.”
Ndërsa më pas vijonte:
“Shpresojmë që punën dhe bashkëpunimin e nisur ta çojë përpara pasardhësi i tij.”
Një gjuhë diplomatike shumë e qartë: SHBA dëshironin një vazhdimësi të modelit “Dumani” dhe fotoja e Brahos brenda këtij mesazhi ishte një tregues i qartë preference.
Nga ana tjetër, Bashkimi Europian, edhe pse jo gjithmonë në mënyrë po kaq të dukshme, dukej se kishte preferenca të tjera për këtë funksion, në veçanti për prokurorin special Adnan Xholi, një kandidat i perceptuar si më “europian” në stil dhe qasje.
Megjithatë, ndërsa Xholi mori vetëm një pjesë të vogël të votave në KLP (3 nga 11 vota), Braho doli fitues me një mbështetje më të gjerë (7 nga 11 vota), një tregues se interesat dhe influenca e partnerëve të jashtëm shpesh përzihen dhe kanë ndikim të madh në vendimmarrjen vendase.
Prania e ambasadorëve në sallën e KLP
Si drejtuesi i strukturës më të rëndësishme antikorrupsion, Klodian Braho u zgjodh pas një presioni të fortë të ndërkombëtarëve. Shfaqja e tyre në sallën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë tregon dështimin e reformës në drejtësi dhe i jep një goditje të fortë përpjekjeve për të ndërtuar institucione të forta në vendin tonë.
Imazhet e ish-ambasadores amerikane Yuri Kim 3 vite më parë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë janë të freskëta në memorien e gjithkujt. Atëherë, Yuri Kim hyri në sallë me bindjen e plotë se kandidati Altin Dumani do dilte aty vetëm si kryetar i SPAK. Dhe ashtu ndodhi.
Kur nisi dëgjesa me kandidatët Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho, në sallë prisnin të ulur ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato, e ngarkuara me punë e SHBA, Nancy van Horn, ambasadori britanik, Nick Abott dhe përfaqësues të tjerë të trupit diplomatik. Aq shumë ambasadorë të tjerë kishte, sa një ditë më parë zyra e shtypit e SPAK lajmëroi gazetarët se nuk kishte më hapësira për kameramanët dhe një pjesë e mediave duhej të prisnin jashtë.

Kjo lojë influencash nuk është e re, por ka marrë një intensitet të ri me zhvillimet e fundit: zgjedhja e kreut të SPAK vjen në një kohë kur institucionet e drejtësisë shqiptare janë në fokus të vëmendjes së publikut dhe ndërkombëtarëve, ndërsa Shqipëria aspiron për anëtarësim në Bashkimin Europian. Është e qartë se partnerët strategjikë duan të sigurojnë që udhëheqja e këtij institucioni të mbajë kursin e bashkëpunimit dhe të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, një detyrë që kërkon edhe besueshmëri dhe balancë të qëndrueshme në skenën ndërkombëtare.
Zgjedhja e Klodian Brahos në krye të SPAK, e ndihmuar siç duket edhe nga sinjale të qarta të mbështetjes amerikane, tregon se drejtësia në Shqipëri është bërë tashmë një terren ku takohen dhe shpesh përplasen edhe influencat përtej Shqipërisë.
Megjithatë duhet pritur 19 dhjetori, datë kur Braho merr zyrtarisht detyrën, për të parë se çfarë ndikimi do të ketë mbi të “ndikimi amerikan”.
LEXO EDHE: Kush është Klodian Braho? Pasuesi i Altin Dumanit në krye të SPAK