E Premte, 6 Nëntor 2026

Luftë, tarifa dhe përçarje/ Si u kthye viti i Trump në një referendum ndaj tij

Luftë, tarifa dhe përçarje/ Si u kthye viti i Trump në

Në fillim dukej sikur gjithçka po shkonte sipas planit. Ishte mesi i shkurtit 2025, pak javë pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, kur këshilltarët ekonomikë i çuan presidentit një seri lajmesh që çdo administratë do t’i kishte pritur me kënaqësi: të ardhurat e familjeve amerikane po rriteshin, fondet e pensioneve po forcoheshin dhe ekonomia po ecte më mirë nga sa ishte parashikuar.

“Kaq shumë gjëra të mira”, do të komentonte Trump, duke e parë fillimin e mandatit të dytë si paralajmërimin e një kapitulli që mund ta vendoste në histori. 

Por politika ka një zakon të keq: rrallë qëndron aty ku nis. Vetëm pak javë më vonë, presidenti do të merrte një nga vendimet më të rrezikshme të mandatit të tij, duke urdhëruar bombardimin e Iranit. Në Shtëpinë e Bardhë ekzistonte bindja se goditja mund të sillte një rezultat të shpejtë dhe vendimtar. Netanyahu kishte argumentuar se eliminimi i Ajatollah Khamenei-t mund ta gjunjëzonte brenda pak ditësh një kundërshtar që prej dekadash e kishte ndërtuar identitetin politik mbi përplasjen me Shtetet e Bashkuara. 

Nuk ndodhi kështu.

Ajo që duhej të ishte një demonstrim force u kthye në fillimin e një serie problemesh që do të ndiqnin administratën gjatë muajve në vazhdim.

Trump ishte rikthyer në pushtet me një mandat të fortë dhe me premtimin se këtë herë do të qeveriste pa hezitim. Një nga fushat ku vendosi të investonte menjëherë kapitalin politik ishin tarifat doganore.

Ideja ishte e thjeshtë: më shumë tarifa ndaj importeve, më shumë të ardhura për shtetin, më shumë prodhim brenda Amerikës. Në versionin më ambicioz të kësaj politike, Trump fliste edhe për një sistem ku të ardhurat nga tarifat mund të reduktonin ndjeshëm varësinë nga taksat federale. Por ekonomia nuk iu bind skenarit. Tarifat nuk sollën të ardhurat e pritshme dhe as ringjalljen e industrisë në përmasat që administrata kishte premtuar. Përkundrazi, presioni mbi çmimet nisi të ndihej gjithnjë e më shumë, ndërsa çështja përfundoi edhe në Gjykatën e Lartë, e cila më pas i shpalli masat të paligjshme.

Në të njëjtën kohë, Trump po përpiqej të zgjidhte një tjetër premtim të madh të fushatës: luftën në Ukrainë. Gjatë garës presidenciale kishte thënë se konfliktin mund ta përfundonte brenda 24 orësh. Në gusht, samiti në Alaska me Vladimir Putinin u paraqit si momenti që mund të hapte rrugën drejt një marrëveshjeje. Trump vazhdonte ta shihte Putinin si një lider me të cilin mund të negociohej personalisht. Me Volodymyr Zelenskyn kishte pasur një marrëdhënie shumë më të ftohtë, madje edhe përplasje publike në Zyrën Ovale.

Por as këtu rezultati nuk erdhi aq shpejt sa ishte premtuar.

Për votuesin amerikan, megjithatë, lufta në Ukrainë nuk ishte domosdoshmërisht problemi që do të përcaktonte votën. Shumë prej mbështetësve të Trump e kishin mbështetur pikërisht sepse ai premtonte më pak luftëra, më pak angazhim jashtë vendit dhe më shumë fokus tek Amerika.

Pikërisht për këtë arsye, përfshirja gjithnjë e më e thellë në Lindjen e Mesme nisi të krijonte një kontradiktë. Fillimisht, sulmi ndaj programit bërthamor iranian ishte paraqitur si një operacion i kufizuar: rezultat maksimal, me ekspozim minimal. Por luftërat kanë prirjen të mos respektojnë kufijtë që u vendosin politikanët.

Rreziku i mbylljes së Ngushticës së Hormuzit ishte një nga skenarët për të cilët gjeneralët dhe strategët e kishin paralajmëruar administratën. Kur tensionet prekën tregjet e energjisë, pasojat nisën të ndiheshin edhe shumë larg frontit. Çmimi i karburantit u rrit. Me të u rrit edhe kostoja e jetesës. 

Paralelisht, një tjetër front po hapej brenda vendit. Më 7 janar, Renee Good u qëllua nga agjentët e ICE-së në Minneapolis, gjatë një operacioni për arrestimin dhe deportimin e emigrantëve pa dokumente. Pak javë më vonë u vra edhe Alex Pretti. Rastet ndezën debat mbi kufijtë e pushtetit federal dhe mënyrën se si po zbatohej politika e ashpër e emigracionit.

Në një administratë që kishte ndërtuar një pjesë të madhe të identitetit të saj mbi sloganin “America First”, nisi të shtrohej një pyetje tjetër: sa larg mund të shkojë shteti në emër të këtij parimi pa cenuar të drejtat që vetë Amerika pretendon se mbron?

Ndërkohë, problemet nuk vinin vetëm nga kundërshtarët. Çështja Epstein kishte hapur një tjetër përçarje, këtë herë brenda vetë botës MAGA. Figurat që për vite kishin qenë ndër mbështetësit më të zëshëm të Trump nisën të kërkonin përgjigje. Mes tyre ishte edhe Marjorie Taylor Greene, ndërsa tensionet u shtuan më tej nga debatet që përfshinë figura të tjera të së djathtës amerikane, përfshirë Tucker Carlson.

Në këtë atmosferë, çdo krizë filloi të ushqente tjetrën. Lufta me Iranin ndikonte te çmimet. Çmimet rëndonin mbi ekonominë familjare. Ekonomia dëmtonte perceptimin për administratën. Çështjet e emigracionit dhe akuzat për tejkalim të kompetencave shtonin presionin politik.

Dhe mbi të gjitha qëndronte figura e Trump. Këshilltarët e tij, sipas raportimeve, kishin rekomanduar që presidenti të mbante një profil më pak publik, përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit. Trump bëri të kundërtën. Ai hyri personalisht në fushatë dhe e ktheu votën për Kongresin në një provë të mbështetjes ndaj vetes.

Në konventën e Dallasit, ai premtoi 5 mijë dollarë për çdo amerikan, ndërsa vazhdonte të prezantonte projektet dhe planet e administratës si prova të suksesit të mandatit të tij. Ndërsa amerikanët shqetësoheshin për faturat, ushqimet, karburantin dhe kostot e strehimit, presidenti fliste për projekte madhështore dhe fitore historike.

Në fillim të mandatit, Trump kishte marrë lajmin se ekonomia po rritej më shpejt nga sa pritej dhe kishte menduar se historia po i buzëqeshte. Vetëm disa muaj më vonë, ai hyri në zgjedhjet e mesit të mandatit me një Amerikë shumë më të polarizuar, me një luftë të re jashtë vendit, me koston e jetesës sërish në qendër të debatit dhe me përçarje që kishin depërtuar edhe në kampin e tij. Trump kishte dashur që zgjedhjet të ishin një referendum për presidencën e tij. Në fund, ashtu  bën./ La Repubblica 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›