“Lukoil” shet asetet e huaja – Gjiganti rus i naftës arriti marrëveshje me një kompani amerikane

Gjiganti i naftës ruse “Lukoil” do t’ia shesë asetet e saj të huaja kompanisë amerikane të investimeve “Carlyle Group”. “Nënshkruam një marrëveshje me kompaninë amerikane për shitjen e “Lukoil International”- tha prodhuesi i dytë më i madh i naftës në Rusi. “Marrëveshja përjashton asetet në Kazakistan dhe ende kërkon miratimin e Thesarit të SHBA-së”- bëri me dije Lukoil, duke shtuar se ishte ende duke negociuar me investitorë të tjerë.
SHBA-të fillimisht i kishin dhënë kompanisë një muaj kohë për të shitur aksionet, por më pas e zgjatën gradualisht atë afat. Në fund të tetorit 2025, me qëllim që të ushtronin presion mbi financat shtetërore të Rusisë, Shtetet e Bashkuara shtuan dy prodhuesit më të mëdhenj të naftës në Moskë, Lukoil dhe Rosneft, në listën e zezë të subjekteve të sanksionuara. Sipas bursës së Moskës, aksionet e Lukoil u rritën me 3.5 për qind pas lajmit.
Asetet e mëdha të huaja të firmës përfshijnë aksione në fusha nafte dhe rafineri në të gjithë globin, përfshirë Irakun, Azerbajxhanin, Egjiptin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Nigerinë dhe Meksikën. Ekonomia ruse ka qenë në vështirësi, ndërsa barra financiare e sulmit gati katërvjeçar ndaj Ukrainës dhe sanksioneve perëndimore që pasuan pushtimin, kanë rritur inflacionin dhe kanë penguar rritjen ekonomike.
Në vitin 2025, të ardhurat e Moskës nga nafta dhe gazi të cilat sigurojnë afërsisht një të katërtën e të ardhurave të buxhetit të shtetit dhe ndihmojnë në financimin e sulmeve ndaj Ukrainë – ranë në nivelin më të ulët pesëvjeçar. Marrëveshja e njoftuar nga të dyja kompanitë të enjten, vjen në një kohë kur negociatorët rusë, ukrainas dhe amerikanë po përpiqen të arrijnë një pakt për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
/rtsh.al/