“Lumë” kallëzimesh për zgjedhjet, Prokuroria e Përgjithshme regjistron 44 denoncime për krime elektorale

Katër ditë nga parlamentaret e 11 majit, Prokuroria e Përgjithshme regjistron 44 kallëzime penale për krimet zgjedhore. 9 prej regjistrimeve janë bërë nga SPAK, 19 prej Policisë Gjyqësore apo Policisë, 2 nga qytetarët, 6 nga partitë politike dhe 8 të tjera të nisura kryesisht.
Prokuroria e Përgjithshme: 5 kallëzime janë regjistruar në Prokurorinë Fier, 3 në Prokurorinë Sarandë, 2 në Prokurorinë Durrës, 7 në Prokurorinë Tiranë, 2 në Prokurorinë Gjirokastër, 3 në Prokurorinë Kukës, 3 në Prokurorinë Lezhë, 9 në Prokurorinë Dibër, 2 në Prokurorinë Vlorë, 1 në Prokurorinë Korçë, 2 në Prokurorinë Shkodër dhe 5 në Prokurorinë Elbasan.
Një ditë më parë bilanci për krimet elektorale u bë edhe nga Prokuroria e posaçme. SPAK njoftoi zyrtarisht se ka marrë 115 kallëzime. 25 prej tyre janë referuar nga subjektet politike e 35 të tjera janë regjistruar në platformën online. Megjithatë vetëm për 35 prej tyre është kryer regjistrimi.
Prej krijimit të Task Forcës që për detyrë ka monitorimin dhe transparencën në zgjedhje, në terren kanë zbarkuar, SPAK, BKH, por edhe prokuroritë e qarqeve respektive janë në gatishmëri. Në krye të saj është kryeprokurori Altin Dumani./vizionplus.tv