Lungomare në Vlorë pastrohet nga mbetjet e nxjerra nga deti

TIRANË, 15 janar/ATSH/ Bashkia e Vlorës ka nisur pastrimin e bregdetit, kryesisht në zonën e Lungomares, një nga hapësirat më të frekuentuara të qytetit.
Pas përkeqësimit të motit ditëve të fundit si pasojë e reshjeve të dendura vërshimet e lumenjve dhe përrenjve, përfshirë edhe lumin Vjosa sollën në det mbetje të shumta.
Bashkia e Vlorës po pastron bregdetin përgjatë Lungomares, për të hequr sasitë e mëdha të leshterikëve dhe mbetjeve të nxjerra nga deti.
Ky aksion do të rikthejë këtë segment të bregdetit në gjendjen e mëparshme.
Pak ditë më parë punonjësit e bashkisë së Vlorës u angazhuan për largimin e mbetjeve urbane dhe pastrimin e vijës bregdetare në zonën e Plazhit të Vjetër në Vlorë.
Aksionet për pastrimin dhe mbajtjen pastër të vijës bregdetare do të intensifikohen gjatë muajve në vijim, në prag të sezonit veror, për të garantuar një vijë bregdetare të pastër dhe mikpritëse për qytetarët vendas dhe turistët e huaj.
/k.s/j.p/