E Diel, 1 Nëntor 2026

SPAK dërgon për gjykim 3 të pandehur për hakerimin e Prokurorisë së Posaçme

TIRANË, 15 janar /ATSh/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal në ngarkim të të pandehurve Arnold Rrokaj, Zambak Gjoni dhe Agim Ismaili.

Sipas SPAK, i pandehuri Arnold Rrokaj, aksesoi në mënyrë të paautorizuar materiale hetimore të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, një pjesë e të cilave u dërguan në mënyrë të paligjshme tek të pandehurit, Zambak Gjoni dhe Agim Ismaili, të cilët i shpërndajnë ato më pas tek persona të tretë.

SPAK theksoi se shtetasit Zambak Gjoni dhe Arnold Rrokaj u identifikuan në një kohë të shpejtë (brenda 24 orësh) dhe u arrestuan menjëherë duke parandaluar kështu dhe shpërndarjen e mëtejshme të materialeve hetimore.

“Si rezultat i veprimeve te shumta hetimore dhe analizimit te tyre, akuzat u zgjeruan dhe për veprën penale të përgjimit të paligjshëm të të dhënave kompjuterike në ngarkim të shtetasit, Agim Ismaili, i cili pasi u njoh me përmbajtjen e këtyre të dhënave, i shpërndau ato më tej, por edhe kërkoi në mënyrë të vetëdijshme thellimin e përgjimit të paligjshëm të sistemeve të Prokurorisë së Posaçme, duke kërkuar gjetjen e të dhënave për persona të ndryshëm”, njoftoi SPAK.

Konkretisht, Arnold Rrokaj i hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg” akuzohet për veprat penale “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”, dhe “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, të kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit atë grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Zambak Gjoni i hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg” akuzohet për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, të kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Agim Ismaili i hetuar në gjendje të lirë, akuzohet për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, të kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›