MADRID – Spanja refuzon t’i lejojë SHBA-së përdorimin e bazave ushtarake për sulme ndaj Iranit

MADRID, 4 mars /ATSH/ – Spanja i ka mohuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës lejen për të përdorur bazat ushtarake të përbashkëta në territorin e saj për sulme ndaj Iranit, duke rritur tonin kritik ndaj asaj që e cilëson si “ndërhyrje ushtarake të pajustifikuar dhe të rrezikshme”., sipas “The Guardian”
Kryeministri socialist spanjoll, Pedro Sanchez, ka dënuar hapur veprimin e njëanshëm ushtarak të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, duke paralajmëruar se ai po kontribuon në “një rend ndërkombëtar më armiqësor dhe më të pasigurt”. Qëndrimi i tij është përforcuar nga refuzimi i qeverisë për të lejuar përdorimin e bazave në Rota dhe Moron për sulmet në vijim.
Ministri i Jashtëm, Jose Manuel Albares, deklaroi se megjithëse Madridi dëshiron “demokraci, liri dhe të drejta themelore për popullin iranian”, në asnjë rrethanë nuk do të lejojë që bazat të përdoren për operacione që nuk mbulohen nga marrëveshja me SHBA-në apo nga Karta e OKB-së.
Edhe ministrja e Mbrojtjes, Margarita Robles, theksoi se asnjë nga bazat nuk është përdorur në operacionet ushtarake amerikane dhe se çdo veprim duhet të përputhet me kuadrin e së drejtës ndërkombëtare.
Qëndrimi i prerë i Sanchez pritet të mos pëlqehet nga presidenti Trump, i cili vitin e kaluar kritikoi Spanjën për refuzimin e propozimit të NATO-s për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të PBB-së. Megjithatë, kryeministri spanjoll është konsideruar ndër zërat më kritikë në Evropë si ndaj luftës së Izraelit në Gaza, ashtu edhe ndaj reagimit të BE-së.
Ndërkohë, kryeministri britanik Keir Starmer fillimisht nuk lejoi përdorimin e bazave britanike për shkak të dyshimeve mbi ligjshmërinë e sulmeve, por ndryshoi qëndrim pas sulmeve hakmarrëse iraniane në rajon.]
Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se e kupton “dilemën” lidhur me reagimin ndaj Iranit, ndërsa presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri thirrje për një zgjidhje diplomatike afatgjatë dhe përgatitje ndaj pasojave të krizës. /Ad.Ab./